Kosova

Xhaferi: “Open Ballkan” i paplotë, nëse nuk janë të kyçura të gjitha vendet


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka deklaruar se nisma rajonale e quajtur “Open Ballkan”, nuk do të jetë e plotë nëse në të nuk janë të kyçura të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nismat rajonale gjithsesi janë nisma fillestare të cilat duhet t’i hapin rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë, por ai bashkëpunim duhet të jetë i plotë dhe supozoj e keni idenë rreth Ballkanit të Hapur si nismë nëse është pjesë e Procesit të Berlinit, për faktin se nga Procesi i Berlinit ka dalë ideja që në mikro-regjion të bëhet një bashkëpunim i propaguar”, deklaroi Xhaferi për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ndërsa shtoi se, “e propagojnë udhëheqësit e tre vendeve që aktualisht janë pjesë e asaj nisme, dhe ajo nuk do të jetë e plotë nëse nuk janë të gjithë të kyçur në atë nismë”.

Ai u shpreh për dialogun Kosovë-Serbi se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Nuk do mend që unë jam i bindur se ai proces kurdo qoftë të jetë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë në mes të dy shteteve tanimë, Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe gjithsesi që zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për qytetarët, për faktin që interesi parësor është i qytetarëve, pastaj i institucioneve dhe shtetit si subjekt ndërkombëtar”.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ndërsa, konsideron se të gjitha vendimet që merren mes këtyre dy vendeve duhet të jenë të pranueshme për të tjerët.

“Për ne është i pranueshëm çdo qëndrim dhe çdo vendim i cili është i pranueshëm ndërmjet dy vendeve diskutuese mes vete dhe dy popujve që e bëjnë përbërjen e dy shteteve, nuk kemi dilema për atë punë se të jetë favorizim kjo apo ajo çështje”, thotë ai.

Ndryshe, pavarësisht vlerësime nga raporti i Komisionit Evropian se Maqedonia e Veriut

Pavarësisht vlerësimeve nga raporti i Komisionit Evropian se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar parakushtet për hapje të negociatave, vendi e përmbylli vitin pa mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila do të shënonte edhe fillimin e negociatave.

“Shpresojmë që të gjendet zgjidhje e pajtueshme për të dy palët që të mundet të lejohet definitivisht mbajtja e konferencës ndërqeveritare për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për Republikën e Shqipërisë për faktin që janë në pako në rrugëtimin për fillimin e negociatave me Unionin Evropian”, thotë Xhaferi.

Gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut ka kaluar në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe mbajti zgjedhjet lokale, çka sipas Xhaferit, ka ndikuar edhe në efikasitetin e punës së Kuvendit.

Në fund të vitit 2021, në Kuvend kishte edhe përpjekje të opozitës për rrëzim të qeverisë me mocion mosbesimi, përpjekje kjo që dështoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore