Lajme

“Pa u heqë kamionët, jo” – komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, refuzon largimin nga pika kufitare


Bërnjak: Komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti

Njësitet Speciale në pikën kufitare në Bërnjak ende nuk kanë lëvizur nga vendi ku po qëndrojnë tash e 12 ditë, përkundër se ushtarët e KFOR-it janë pozicionuar në atë pikë qysh në mëngjesin e hershëm.

Arsye për mos-largim e dhënë nga komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, është se barrikadat ende vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë.

Largimi i tyre po vonon shumë, meqë kamionët që kanë qëndruar aty tash e sa kohë, vështirë po ndizen për t’u larguar.

“Pa u hequr kamionët, jo”, dëgjohet duke folur në telefon komandanti Besart Ahmeti, në një video të Albanian Post.

Siç raporton gazetarja, Blerta Ahmeti, nga vendi i ngjarjes, Ahmeti ka biseduar edhe me eprorin e ushtrisë amerikane atje dhe ka marrë edhe nga ai përkrahje që pa u lëvizur fillimisht barrikadat, s’kanë nevojë të largohen as policia.

Ahmeti fillimisht do largimin e të gjitha pengesave dhe të gjithë protestuesve.

Në ndërkohë, njëra korsi e rrugës tashmë është liruar dhe është mundësuar qarkullimi me makina.

Edhe në një moment tjetër Albanian Post ka kapur një bisedë mes Njësiteve Elite dhe ushtarëve të KFOR-it, ku një nga pjesëtarët e policisë i thotë atij të KFOR-it që nuk mund të largohen pa u liruar rruga nga barrikadat dhe protestuesit.

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, Njësitet Speciale duhet të largohen nga pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje dhe bashkë me ta edhe barrikadat e vendosura prej ditësh tashmë, nga protestuesit serbë që u revoltuan me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta vendosur reciprocitetin e targave.

Tash me marrëveshjen e re, targat e të dyja palëve do të vendosin ngjitës në shtetin tjetër, derisa KFOR-i do të qëndrojë për 12 ditë në pikat kufitare që ta ruajë qetësinë.

 

Si filloi gjithçka?  

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Për 12 ditë dy pikat në Mitrovicën e Veriut Jarinjë e Bërnjak qëndruan të bllokuara si shenje proteste nga qytetarët serbët.

Gjatë bllokadës ata kishin vendosur edhe tenda fare afër autoblindave të njësisë së Policës, duke planifikuar kështu qëndrimin në këtë pikë edhe gjatë orëve të natës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore