Kosova

Njësitet Speciale refuzojnë të largohen pa u hequr barrikadat: “Largohemi pasi të lirohet rruga” (VIDEO)


Pika kufitare Kosovë – Serbi në Bërnjak: Komunikimi mes policëve dhe ushtarëve të KFOR-it

Ushtarët e KFOR-it janë pozicionuar tashmë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarnijë për të zëvendësuar Njësitet Speciale të Kosovës, por përkundër se po bëhen më shumë se dy orë që kur janë paraqitur ushtarakët e KFOR-it, Policia e Kosovës ende nuk ka lëvizur.

Mos-largimi i tyre po ndodhë për shkak se rruga ende nuk është liruar dhe barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë ende aty ku ishin më parë.

Gazetarja e Albanian Post në vendin e ngjarjes në Bërnjak, Blerta Ahmeti, raporton se udhëheqësi i ushtarëve të KFOR-it me të ardhur i ka thënë komandantit të policisë që barrikaduesit rreshtohen në një anë të rrugës dhe ju mund të dilni, por ky plan nuk u ka pëlqyer policëve.

Komandanti i Njësiteve Elitë u ka thënë KFOR-it se nuk largohen dot pa u larguar barrikaduesit, derisa udhëheqësi i KFOR-it ia ka kumtuar se ideja është që të largohen të gjithë bashkë.

“Ashtu e kam urdhrin, ne dalim pas barrikaduesve”, ka thënë komandanti.

Edhe në disa video të Albanian Post, është kapur një komunikim i policëve të Kosovës e ushtarëve të KFOR-it.

“Nuk mund të largohemi, kur të lirohet rruga atëherë mund të shkojmë”, ka thënë polici.

“Por, ju mund të qëndroni këtu”, ka vazhduar ai komunikimin me ushtarin e KFOR-it.

 

Mëngjesi i 2 tetorit

Barrikadat ne Bernjak

Ashtu siç e parasheh marrëveshja e Brukselit e arritur në mes të Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, qysh herët në mëngjes ushtarët e KFOR-it janë paraqitur në pikat kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.

Ka filluar edhe largimi i një pjese të barrikadës, por jo gjithçka po shkon mirë, meqë kamionët që kishin bllokuar rrugën prej ditësh, po kanë problem të ndizen.

Pika e parë e marrëveshjes thotë se Njësitet Speciale do të zëvendësohen nga KFOR-i dhe se largimi në mënyrë të sinkronizuar do të fillojë nga ora 08:00 e nuk duhet të zgjasë më shumë se deri në orën 16:00.

Marreveshja e Brukselit per Targat

 

Si filloi gjithçka?  

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Për 12 ditë dy pikat në Mitrovicën e Veriut Jarinjë e Bërnjak qëndruan të bllokuara si shenje proteste nga qytetarët serbët.

Gjatë bllokadës ata kishin vendosur edhe tenda fare afër autoblindave të njësisë së Policës, duke planifikuar kështu qëndrimin në këtë pikë edhe gjatë orëve të natës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore