Lajme

Osmani uron presidentin e ri të Finlandës: Pres me padurim të punojmë së bashku


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, uroi presidentin e ri të Finlandës nga radhët e qendrës së djathtë, Alex Stubb, i cili fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale finlandeze që u vlerësuan si më të rëndësishmet për shtetin nordik ndër dekada, veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës.

“Unë pres me padurim të punojmë së bashku për të ndërtuar lidhjet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Finlandës dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, shkroi presidentja Osmani në platformën “X” në mbrëmje pas rezultateve preliminare të publikuara nga pothuajse të gjitha votat e numëruara.

Stubb bëhet president i Finlandës në një kohë kur Rusia ashpërsoi retorikën kundër shtetit nordik. Ish-kryeministri finlandez, gjithashtu ish-ministër i jashtëm dhe ish-ministër i financave dhe tregtisë, është ekspert i politikave të Bashkimit Evropian (BE) dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndryshe, raportet e Kosovës me Finlandën ishin karakterizuar përmes ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili mori pjesë në ndërmjetësimin e procesit të paqes në vitin 1999, si dhe shërbeu si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të negociuar statusin e Kosovës në vitet 2005-2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore