Lajme

Osmani takohet me Dukën e Madh në Luksemburg, diskuton për situatën në Veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe duka i madh Henri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me dukën e madh mbretëror Henri i Luksemburgut, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale në Veri të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit zyrtar të Dukalës së Madh të Luskemburgut, ku është thënë se është diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit me dy palëve.

“Presidentja e Republikës së Kosovës në Luksemburg në kuadër të një vizite pune është takuar me Dukën e Madh. Situata në veri të Kosovës si dhe marrëdhëniet dypalëshe ishin në programin e shkëmbimeve”, thuhet në cicërimen në rrjetin social ‘Twitter’.

 

Edhe presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në këtë takim “janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve”.

“Në takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale. Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani ka falënderuar Dukën e Madh për mbështetje e vazhdueshme ndaj Kosovës”.

“U diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, me ç`rast Presidentja Osmani rikonformoi përkushtimin e Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit”.

Situata në Veri është tensionuar që nga 26 maji atëherë kur kryetarët e komunave në Veri kanë nisur punën në objektet komunale me mbrojtje të Policisë së Kosovës.

Ndërsa, të mërkurën tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë. Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore