Lajme

Osmani takohet me drejtoreshën menaxhuese të FMN-së, bisedojnë edhe për efektet e luftës në Ukrainë


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar takim me drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, ndërsa dyshja kanë biseduar për raportet Kosovë-FMN.

Në takimin e zhvilluar në margjinat e Forumit të Dohas, Osmani e Georgieva kanë biseduar edhe për situatën ekonomike në Kosovë dhe rajon si dhe për efektet potenciale ekonomike të luftës në Ukrainë.

Po ashtu, Osmani e ka informuar  Georgievan për situatën në Kosovë dhe Ballkanin perëndimor, ndërsa theks të veçantë i ka thënë hapave të Kosovës drejt ruajtjes së stabilitetit politik dhe ekonomik, përkundër sfidave aktuale globale të krijuara nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Mes tjerash, Osmani ka shprehur falënderim për angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Republikën e Kosovës dhe e ka ri konfirmuar rëndësinë që Republika e Kosovës i kushton bashkëpunimit me FMN-në.

Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, Georgieva, po ashtu ka vlerësuar progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar posaçërisht stabilitetin ekonomik dhe fiskal të Republikës së Kosovës.

Ajo ka ritheksuar  përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të FMN-së dhe Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore