Lajme

Osmani përkujton 40 të vrarët në “Dardani” nga serbët


Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

40 personat e vrarë në lagjen “Dardania” në Pejë, i ka përkujtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke thënë se“bashkënjdenë me familjarët e tyre”.

“Më 27 mars të vitit 1999, 40 burra, gra e fëmijë të lagjes ‘Dardania’ në Pejë, u vranë barbarisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë”, shkruan presidenca e Kosovës.

“Sot i nderojmë të gjithë ata që u vranë në këtë ditë të trishtë dhe bashkëndjejmë me familjet e tyre”.

“Ne jemi të vendosur që kujtimin për ta dhe betejën për drejtësi të mos i ndalojmë asnjëherë!”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, bënë homazhe te pllaka përkujtimore e 40 të vrarëve në lagjen Dardania në Pejë

Për të nderuar familjet e 40 personave të vrarë në lagjen dardania në Pejë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te pllaka përkujtimore.

Ai theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri për të gjithë e për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe normale, ndërsa shtoi se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë.

“Prokuroria e Kosovës dhe Specialja duhet të punojnë ditë e natë, që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, kur dihet që viktima nuk janë vetëm të vrarët, por edhe familjet e tyre dhe mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti pas homazheve.

Më 27 Mars të vitit 1999, 40 burra, gra e fëmijë të Bashkësisë Territoriale ‘Dardania’ në Pejë, pamëshirshëm ishin persekutuar nga policia e ushtria serbe, veç pse ishin shqiptarë dhe si kundërpërgjigje e Serbisë ndaj sulmeve të paktit NATO.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-99, janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave nuk dihet ende asgjë  – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore