Lajme

Osmani pas takimit me homologun e Austrisë: E rikonfirmuam gatishmërinë për të forcuar partneritetin


Presidentja e Kosovës dhe presidenti i Austrisë Alexander Va nder Bellen.

Të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me homologun e Austrisë, Alexander Va nder Bellen, takim ky në të cilin tha se është rikonfirmuar gatishmëria për të forcuar partneritetin mes dy vendeve.

Lajmin e ka bërë të ditur Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Potencuam vendosmërinë e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe koordinimin, duke kontribuar bashkërisht për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë kohë kritike për Evropën”, ka shkruar Osmani.

Ndër të tjera, ajo ka theksuar se e ka uruar atë për rizgjedhjen si president i Austrisë.


“Presidentin Van der Bellen e urova për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shpreha vendosmërinë tonë të punojmë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Austrisë”.

Gjithashtu, Osmani ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e palëkundur të Austrisë për rrugën euroatlantike të Kosovës.

Më 13 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte udhëtuar për në Austri, për të marr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.​

Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishin qëndruar në Paris, në Forumin e Paqes, ku janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Osmani dhe Kurti në këtë takim kishin potencuar se Kosova është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore