Lajme

Osmani kërkon drejtësi për krimet e kryera nga Serbia


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25 vjetorin e masakrës së Rogovës të Hasit, ka kërkuar drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Ajo përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, ka thënë se vrasja e jetëve të pafajshme s’do të falet asnjëherë.

“Nuk do t’i harrojmë asnjëherë jetët e pafajshme të marra në mënyrë brutale, sikurse edhe ata që ranë për lirinë tonë!”.

“Në përvjetorin e kësaj masakre, kërkesa për drejtësi është e domosdoshme në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më!”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje e ka vlerësuar si njërin ndër “krimet më makabre në historinë e Kosovës”.

“Forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, sulmuan brutalisht fshatrat Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës dhe masakruan 9 civilë, teksa në altarin e lirisë ranë edhe 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për dëshmorët dhe martirët e Rogovës së Hasit!”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Kosova nuk i harron e as nuk i falë krimet e Serbisë”, ndërsa kujtoi edhe rënien e 21 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ranë dëshmorë 21 persona në fshatin Rogovë të Hasit, të cilët ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shumë civilë të fshatit.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.

Po ashtu, në këtë data, kujtohen edhe nëntë të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të komunës së Gjakovës.

Më këtë rast, të hënën e 29 janarit bëhen homazhe tek “Monumenti i dëshmorëve” në Rogovë si dhe tek varrezat e dëshmorëve.

Në vitin 1998 ndodhi masakra e Prekazit (Jasharëve), duke vazhduar më pas në vitin 1999 me masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, e Rezallës, e Dubravës, masakrën e Krushës së Madhe në Rahovec, masakrën e Rugovës të Hasit, si dhe masakrën e Studimes në Vushtrri.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

25 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore