Lajme

Kosova s’i falë e as s’i harron krimet e kryera nga Serbia, thotë Kurti


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke kujtuar krimet e Serbisë më 27, 28 dhe 29 janar të 1999-s në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës, ku u vranë 30 shqiptarë të Kosovës, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, tha se Kosova nuk i harron e as nuk i falë krimet e Serbisë, ndërsa kujtoi edhe rënien e 21 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Plagët e krimeve nuk vjetrohen. Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia. Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te çlirimi i Kosovës”.

Ai përmendi emrat e secilit nga të rënët në janar të ’99-ës: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala.

Në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (Bruksel, 27 shkurt 2023 – Ohër, 18 mars 2023), përveç se nuk përmenden krimet e luftës, thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen edhe për “tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës” ndër të tjera, derisa palët miratuan edhe një Deklaratë për Personat e Pagjetur.

Përkundër se zbardhja e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë është konsideruar “urgjencë kombëtare dhe humanitare” nga autoritetet kosovare, në Deklaratën për Personat e Pagjetur nën kujdesin e BE-së nuk përfshihet termi “të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” por “të zhdukur me forcë (forcibly disappeared).

Termi “të zhdukur me dhunë”, që mbi të gjitha është kategori juridike në të drejtën ndërkombëtare dhe njihet nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, nivelet më të larta shtetërore në Kosovë tentuan ta njëjtësojnë me termin “të zhdukur me forcë”, që mbi të gjitha nuk e ka fuqinë juridike për t’i detyruar shtetet të japin përgjegjësi për zhdukjen e personave me dhunë.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999, në bazë të të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), në Kosovë janë vrarë më shumë se 13 mijë e 500 persona. Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërsa mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore