Lajme

Osmani: Jashari do të jetë në shërbim të shtetit


Emërimi i komandantit të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari nga presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas emërimit të komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka shprehur lëvdata ndaj gjeneralmajorit Bashkim Jasharit.

“Bashkim Jashari i shërbeu atdheut atëherë kur populli ynë rrezikohej të shuhej nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa, ka deklaruar se ka qenë nder të emëroj atë në detyrën e re.

“Edhe tash e tutje do t’i shërbej shtetit të tij duke e udhëhequr ushtrinë e ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë të brezave të tërë. Prandaj ishte nder i veçantë që sot ta emëroj në detyrën e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Osmani premtoi mbështetje të plotë si Komandante Supreme në ngritjen e FSK-së.

“Gjeneralmajor Jashari do ta ketë mbështetjen time të plotë si Komandante Supreme në ngritjen e FSK-së në piedestale edhe më të larta”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, në pranim të dorëheqjes së ish Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama

“Në këtë detyrë të shenjtë gjeneralmajor Jasharit i uroj suksese, ndërkaq gjenerallejtënant Ramën e falënderoj për shërbimin e deritashëm!”.

Më 30 nëntor, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Si erdhi deri tek dorëheqja?

Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.

Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.

Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.

Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.

Edhe këtë kërkesë, në formë urdhëri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë Gjenerallejtënant Rama. Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë ka nisur procedura e shkarkimit të tij.

Albanian Post mëson se kandidatët kryesorë për të marrë detyrën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas shkarkimit të Gjenerallejtënant Rrahman Ramës, janë Inspektori Gjeneral i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjeneralmajor Bashkim Jashari dhe Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, i ftuar, pa ndonjë sqarim në çfarë cilësie, si dëshmitar apo i dyshuar, nga Gjykata Speciale në qershor të vitit 2020.

Nga burime brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, merret vesh se gjasat më të mëdha për t’u konfirmuar si komandant i FSK-së i ka Gjeneralmajor Hazrolli, meqë Gjeneralmajor Jashari mund të mos e marrë aprovimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as nga presidentja Vjosa Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore