Lajme

Osmani diskuton me përfaqësuesit e OKB-së për strehimin e afganëve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me përfaqësuesit e OKB-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, ka pritur në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM-i me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.

Sipas njoftimit nga Presidenca, përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.

Po ashtu, presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.

“Ne jemi të hapur për t’i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Osmani.

Të martën e 17 gushtit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

“Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti, kur u pyet nga gazetarët, derisa kishte një vizitë rutinë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, të dielën, më 15 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Osmani tha, “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore