Lajme

Osmani dekreton 48 gjyqtarë të rinj


Gjyqtarët e rinj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në pajtim me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka dekretuar të premten 48 gjyqtarë të rinj.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, u ka uruar mirëseardhje gjyqtarëve duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin me gjyqtarët me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor.

“Me këtë përbërje të sistemit gjyqësor, së bashku do i japim një kthesë të rëndësishme sistemit gjyqësor brenda një periudhe të shkurtër sepse na presin sfida të mëdha, mirëpo nuk kam dilemë se të gjithë ju do të bëni një punë të mirë”, tha mes tjerash kryesuesi Zogaj.

Ndërkaq, duke u bazuar në ligjet në fuqi, kandidatët për gjyqtarë para se të dërgohen tek Presidentja për emërim i janë nënshtruar procesit të zgjedhjes, proces të cilin e ka udhëhequr KGJK.

Gjyqtarët e rinj të emëruar do të shpërndahen në shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, sa i përket procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit ka ngecur, kjo pasi një vendim akoma nuk është marrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me këtë pozitë.

Në muajin prill Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte propozuar Blerim Isufajn, për Kryeprokuror të Shtetit.

Për të cilin kishte pasur edhe ankesa prej dy kandidatëve të tjerë, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamitin lidhur me emërimin e Isufajt në këtë pozitë.

Por, që të njëjtat ankesa gjykata i kishte hedhur poshtë.

Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore