Lajme

Kushtetuesja i hedh poshtë ankesat e Fazliut dhe Hamitit për procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit


Gjykata Kushtetuese i ka hedhur poshtë ankesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, lidhur me emërimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo gjykatë sqaron se “kërkesat përkatëse i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

 “Në kontekst të të lartcekurave, Gjykata theksoi se bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kriteri i shterimit të mjeteve juridike, nuk mund të aplikohet në mënyrë tejet formaliste dhe rrjedhimisht, mund të ketë përjashtime, por vetëm nëse palët përkatëse, bazuar në parimin e barrës së provës, argumentojnë para Gjykatës se nuk ekziston mjeti juridik ose në të kundërtën, të argumentojnë se mjeti ekzistues juridik nuk është efektiv sepse (i) nuk është në “dispozicion dhe i qasshëm”; dhe (ii) nuk është “mjaftueshëm i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë”.

Sipas Kushtetueses, për më tepër, bazuar në të njëjtën praktikë gjyqësore, parashtruesit përkatës duhet të argumentojnë që “kanë bërë gjithçka që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga ata që të shterojnë mjetet juridike”, duke marrë parasysh se “dyshimet e thjeshta” të një parashtruesi rreth joefektivitetin të një mjeti juridik, nuk vlejnë si arsye për ta liruar nga detyrimet kushtetuese.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Blerim Isufaj

Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore