Lajme

Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës – Juristët: Presidentja ka rol veç ceremonial, s’mund të refuzojë kandidatët


Ilustrim.

Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit ka ngecur, kjo pasi një vendim akoma nuk është marrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me këtë pozitë.

Në muajin prill Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte propozuar Blerim Isufajn, për Kryeprokuror të Shtetit.

Për të cilin kishte pasur edhe ankesa prej dy kandidatëve të tjerë, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamitin lidhur me emërimin e Isufajt në këtë pozitë.

Por, që të njëjtat ankesa gjykata i kishte hedhur poshtë.

Njohësi i çështjeve juridike, Durim Berisha, në një përgjigje me shkrim sqaron për Albanian Post, se pas këtij vendimi, presidentes nuk i mbetet zgjidhje tjetër përveç se ta emërojë Kryeprokurorin e ri të Shtetit.

“Presidentja ka një rol thjeshtë formal-ceremonial në këtë procedurë dhe nuk gëzon diskrecion për të refuzuar kandidatin e propozuar. Ndonëse përdoret termi propozim, në terminologjinë kushtetuese nuk bëhet fjalë për diskrecion të presidentit të shtetit, sepse gjuha kushtetuese përdoret në atë mënyrë që të mos tingëllojë diktatoriale, por trajton me respekt çdo organ shtetëror”, thotë Berisha.

Ilustrim.

Ai tutje sqaron se vendimi për kryeprokurorin nga e para e shtetit ishte dashur të merret shumë më herët.

“Ajo këtë obligim e ka pasur në vazhdimësi, pasi Gjykata Kushtetuese nuk kishte vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të KPK për propozimin e kandidatit të përzgjedhur”.

A duhet të rifillojë procesi i emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit?

Ndryshe nga Berisha, juristi Muhamet Kelmendi, në një bisedë për Albanian Post shprehet se ky proces duhet të nis nga e para.

“Mbështetur në rrethana dhe në kritikat e bëra zgjidhja më e mirë e kësaj çështjeje është anulimi i konkursit dhe përsëritja e tërë procedurës”.

Kelmendi sqaron se, “në procedurën përzgjedhëse kërkohet pjesëmarrje në procedurë edhe të organeve të tjera të shtetit, të shoqërisë civile dhe të përfaqësuesve të ambasadave”.

Ai tutje shton se pse është e rëndësishme që një proces i tillë të mos ketë manipulime.

“Nga Kryeprokurori varet ndërtimi i shtetit ligjor. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kontrabandës e të dukurive të tjera kriminale. Zgjedhja e këtyre problemeve kurrë nuk ka sukses pa një Kryeprokuror të moralshëm, të guximshëm dhe të pa frikësuar kundër krimit”.

Gjykata Kushtetuese.

Por, edhe avokati Arianit Koci, njëjtë si Durim Berisha, mendon se presidentes i ka mbetur vetëm të emërojë kryeprokurorin e ri të shtetit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, në rregullimin shtetëror çfarë e kemi – në disa raste, bartësit e funksioneve i dekreton në mënyrë formale. Nuk ka diskrecion. Në rastin konkret, e para e shtetit ka rol ceremonial”.

“Prandaj, pasi ka ardhur në këtë fazë përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, nuk ka zgjidhje tjetër – natyrisht nëse respektohet Kushtetuta, përveç që Presidentja ta dekretojë Blerim Isufajn për atë post”, thotë Koci për AP.

Çka tregon emërimi i pozitës së Kryeprokurorit?

Nga këndvështrimi i këshilltarit të lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, Anton Nrecaj, emërimi i kësaj pozite do të tregojë fillimin e funksionimit të Vettingut në Kosovë.

“Nga ana tjetër kemi situatën tjetër të opinionit të Venecias i cili jep dritën e gjelbër për Vettingun e pjesshëm, dhe ky është momenti më i mirë nga Presidentja të tregoj se është koha për Vettingun dhe ai do të filloj  me kandidatin e vetëm për Kryeprokuror të shtetit, pra procesin ta kthej në pikën zero”, pohon Nrecaj për AP.

Ndërsa, thekson se, “gjithçka varet nga presidentja nëse do ta kthej procesin në pikën zero apo ta dekretojë Kryeprokurorin e shtetit”.

Kush janë pesë kandidatët që kanë aplikuar për Kryeprokuror të Shtetit?

Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

 

Kandidatët që kanë aplikuar për Kryeprokuror të Shtetit.

Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore