Lajme

OSBE-ja thirrje serbëve: Vendosni vetë për bojkotim apo jo të procesit të regjistrimit të popullsisë


Ilustrim

Misioni në Kosovë i Organizatës për Sigurisë dhe Bashkëpunim në Evropë, i njohur ndryshe si OSBE, ndërsa ka komentuar thirrjen e Listës Serbe për bojkotim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë nga ana e komunitetit serb, ka potencuar se u takon vetë qytetarëve serbë të vendosin për pjesëmarrje në këtë proces e jo një partie politike.

Pjesëmarrja e ulët në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, sipas OSBE-së mund të sjellë pasoja buxhetore në nivel komunal.

Misioni i OSBE-së në Kosovës, përmes një reagimi në platformën sociale, X, ndër të tjera ka vlerësuar se një fushatë më gjithëpërfshirëse për procesin e regjistrimit të popullsisë “do të kishte ndihmuar në ngritjen e vetëdijes së komuniteteve jo-shumicë për këtë proces”.

“Një fushatë informative sistematike është thelbësore për të siguruar ndërgjegjësimin e këtyre komuniteteve për qëllimin e regjistrimit dhe inkurajimin e pjesëmarrjes së tyre. Edhe në këtë fazë është e rëndësishme që të bëhet më shumë për të siguruar informacion të plotë për të gjitha komunitetet”, thuhet në njoftim.

Në ditën kur në Kosovë ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë, Lista Serbe, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se serbët nuk do të marrin pjesë në këtë proces.

Arsyeja për këtë mospjesëmarrje tingëllon mjaft banale.

Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas Listës Serbe, “do të ishte poshtërimi më i madh për serbët”.

“Kurti u ka mohuar serbëve të drejtën për pensione, paga, ka persekutuar serbët, ka pushtuar komunat me dhunë, ka militarizuar Veriun e Kosovës, ka pamundësuar dërgimin e ushqimeve dhe sendeve ushqimore nga Serbia, ka shfuqizuar të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të drejtat e garantuara prej tyre për serbët, ka imponuar me forcë kryetarët e tij të rremë në komunat serbe”, ka pretenduar Lista Serbe.

Procesi pritet të zgjasë deri më 17 maj.

Pjesëmarrja në regjistrim është e obligueshme me ligj.

Ndërsa në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me gjobitje prej 30 deri në 2,000 euro.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë për herë të fundit ishte organizuar në vitin 2011.

Edhe në vitin 2011 serbët kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë proces.

Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

Ndryshe fillimi i procesit u shty për disa herë.

Regjistrimi i popullsisë fillimisht ishte paraparë të nis më 1 shtator të vitit të kaluar.

Ai u shtyje për 1 nëntor, për t’u shtyrë më pas përsëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore