Shqipëria

Opozita tre-frontale dhe ‘përçarja’ vendore


Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 nuk do ta shohin opozitën shqiptare të ndarë në dy fronte, por në tre të tillë.

Rezultati i tillë, vjen për shkak të një mënjanimi vetjak, që Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, ka marrë për të qenë soliste në zgjedhjet e pas tre muajve.

Kjo, edhe si pasojë e një oferte konkrete të munguar nga fronti i krijuar mes Partisë Demokratike dhe asaj të Lirisë, por edhe për faktin se vetë PDIU-ja, mendon se mund të mbajë peshë më shumë se sa mendohet dhe e vetme, mund të tregojë dhëmbët për bashki të caktuara.

“PDIU ka të gjitha mundësitë dhe peshën specifike për ta provuar dhe për të garuar më vete”, do të deklaronte Idrizi, i ftuar në një emision televiziv më 30 janar, ku bëri edhe reflektimin e të qenit i qendërzuar mes dy PD-ve – asaj të Sali Berishës dhe pjesës tjetër, të Enkelejd Alibeajt.

Nga ana tjetër, rrjedhimi nuk është kaq i thjeshtë, sakaq edhe ideologjik.

“Më bëri çudi që Himarën ia kanë lënë një partie minoritare, sepse dihet që Himara nuk është minoritet”, tha Idrizi referuar kandidimit nga radhët e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, njohur ndryshe edhe si partia minoritare greke, e drejtuar nga Vangjel Dule.

Me këtë të fundit, Idrizi (duke theksuar se PDIU-ja njihet si partia çame më e madhe në Shqipëri), nuk ka mbetur pa u përballur edhe më parë.

Madje, disa herë, këto dy parti kanë bërë rotacione qeveritare, për shkak të përfshirjes së tjetrës në kabinet.

Thënë kjo, a duhet marrë me mendjelehtësi dalja më vete e PDIU-së?

S’ka se si!

Në testin e fundit real, atë të vitit 2017 – pasi në 2019-ën PDIU-ja u përfshi në listën e Partisë Demokratike – çamët arritën të merrnin në rang kombëtar 76 mijë vota, duke siguruar edhe tre ulëse në Parlament dhe duke e përcaktuar veten si forca e katërt më e madhe politike.

Në parlamentaret e 2021-shit, nga PDIU-ja pati edhe një lloj zhgënjimi, pasi jo të paktë ishin ata në radhët e forcës politike, të cilët mendonin se mund të kishin korrur rezultat më të mirë, nëse do të garonin të vetëm.

Përpos kësaj, ata nuk mbajtën një rreshtim të qartë pas ndarjes së PD-së në dysh dhe dorëheqjes së Lulzim Bashës nga drejtimi i të djathtëve, me rikthimin e Berishës në krye, duke qëndruar kështu neutralë në Parlament.

Madje, kjo, edhe duke pasur një grup parlamentar më vete, së bashku me aleatë të tjerë demokratë, të cilin e drejton Mesila Doda, nga radhët e PDIU-së.

Në këto pozita, është e qartë se një PDIU periferike – pavarësisht shkallës së rëndësisë – nuk i leverdis frontit opozitar të (pa)unifikuar.

Mbi të gjitha, kur gara lokale bëhet përballë rivalëve socialistë, të cilët dy zgjedhjet e fundit parlamentare i kanë fituar të vetëm.

Si të mos mjaftonte, bashkim nuk ka as brenda PD-së dhe nëse vota rrjedhin sërish e zgjidhja nuk gjendet, organet e pushtetit vendor të fituara nga minoranca politike në Parlamentin shqiptar, mundet fare mirë edhe të mbeten sërish zero, ashtu si në vitin 2019, kur të majtëve iu falën të gjitha bashkitë, pa garë.

Përmbyllësisht, Idrizi cek edhe një problem tjetër, i cili prej kohësh është hedhur në tryeza: Reforma territoriale dhe ajo zgjedhore.

Me dikur Bashën në krye, të dyja këto ishin dosje të hapura në komisione parlamentare dhe të diskutueshme nga palët.

Sot, askush nuk i përflet, e aq më pak t’i konkretizojë përpjekjet për t’i shqyrtuar.

Se me sa kandidatë PDIU do të dalë në terren, ende e paqartë është.

Si front i tretë gjithsesi, do të mjaftonte të ishin të pranishëm edhe vetëm në disa bashki, për të arritur t’i jepnin shtytjen e mëtejshme mazhorancës së sotme, në maksimizimin e fitores.

Llogaritë, janë të hapura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore