Kosova

Opozita kalkulante e Kosovës


Ilustrim

“Opozita nuk po e luan rolin që duhet ta luajë” dhe “opozita po e kupton rrezikun, por është bërë kalkulante”, janë vetëm disa nga cilësimet e njohësve të rrethanave politike në Kosovë ndaj tri partive kryesore të bllokut opozitar, pas situatës së krijuar në Veri të vendit si pasojë e vendimit të pa-koordinuar të Qeverisë për instalimin e kryetarëve të rinj në objektet komunale nën-asistencën e Policisë së Kosovës.

Situata e përshkallëzuar në këtë pjesë të vendit ka vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pjesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te qëndrimi i përbashkët i vendeve të QUINT-it, e cilësuan këtë veprim si vendosje me masa të dhunshme, megjithatë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u mjaftuan me komunikata pa përmbajtje e shumë sterile, pa ndonjë veprim politikë duke mos i dhënë situatës ndonjë përfitim apo interes, meqë situata është “jashtëzakonisht e ndjeshme”.

Për filozofin dhe publicistin, Shkëlzen Maliqi, opozita kosovare, në këtë fazë, po e kupton rrezikun që i është shfaqur vendit, por është bërë kalkulante duke u kujdesur më shumë të mos bëjë ujdi politike, se sa të veprojë bashkërisht kundër pushtetit.

I dërguar i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka treguar për ngërçin që aktualisht ekziston me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por ai nuk foli për sanksionet që e presin lidershipin qeveritar të Kosovës dhe rrjedhimisht vetë shtetin nëse deri të premten nuk zhbllokohet situata, ku Kurti do të duhej të pranonte shpalljen e zgjedhjeve të reja, reduktimin e policisë në Veri dhe dorëzimin e draftit të statutit për Asociacionin e kthim në shtegun normalizues.

Megjithatë Albanian Post mësoi nga burimet diplomatike se sanksionet si në rrafshin personal për Kurtin dhe një ministër të tij, si në atë shtetëror për Kosovën, do jenë të ashpra dhe të pa-shembullta në historinë e Kosovës.

Sanksionet që mund të pasojnë nga komuniteti trans-atlantik për Kosovën, siç ka mësuar Albanian Post, janë të ndara në dy faza dhe përfshijnë shpalljen non-grata të kryeministrit, Albin Kurtit e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kthimin e Veriut në para-gjendjen e vitit 2004 ku KFOR merr kontrollin e plotë, bllokimin e fondeve nga SHBA-të dhe BE-ja.

Komuniteti transatlantik, sipas burimeve të AP-së, ka një pakënaqësi edhe me pjesën tjetër të spektrit politik në Kosovë dhe pozicionet e tyre të paqarta, meqë sipas tyre “opozita është duke dështuar të kuptojë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikut real për Kosovën”.

Sipas ligjëruesit të Shkencave Politike, Dritëro Arifi, opozita fatkeqësisht nuk po luan rolin që duhet ta luajë, meqë ajo nuk ka treguar planin e përbashkët se si do të qaset kësaj situate mjaft kritike.

Shkëlzen Malqi dhe Dritëro Arifi 

“Opozita kosovare besoj që ka informata, shumë më shumë, sesa publiku sepse ato dje janë takuar me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe BE-së dhe mendoj që reflektimi i tyre ka qenë shumë i zbehtë dhe shumë jo serioz, pra ne më shumë kemi marr informata nga Escobar sesa nga pozita dhe opozita krejt së bashku, po vërehet që mungon një dozë e madhe e sinqeritetit me publikun e me situatën, pra nuk ka reflektim serioz nga opozita. Mendoj që duhet një reflektim shumë më i thellë dhe shumë më serioz dhe shumë më të prerë”, thotë Arifi për AP.

Maliqi, në anën tjetër, propozon që blloku opozitar të dal me një qëndrim konstruktiv në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve duke propozuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Opozita, LDK dhe PDK së bashku, do të duhej t’i mblidhte forcat dhe të bënte një propozim projekt të Asociacionit në bazë të marrëveshjeve që i kanë pas bërë në Bruksel liderët e mëparshëm të tyre, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, kuptohet me ekspertiza të plota dhe duke pas parasysh 23 vërejtjet të Gjykatës Kushtetuese që të mos ketë kompetenca ekzekutive”.

Kështu opozita, sipas Maliqit, do të demonstronte në njërën anë se është në hap me kohën dhe se ish-liderët e tyre, me korrigjimet që kanë kërkuar nga Kushtetuesja kanë pasur të drejtë dhe në anën tjetër do të luanin blofin në çështjen e Asociacionit duke detyruar Albin Kurtin që të komprometohet vetë duke krijuar “Zajednicën” me kundërshtimin e së cilës erdhi në pushtet.

“Pse kane hezituar në këtë s’di. Ndoshta kanë besuar në dështimin më të shpejt të VV-së, dhe kanë bërë kalkulime paraprake për koalicione të mundshme në zgjedhjet e ardhshme. LDK nuk është këndell ende rreth faktit se 100 mijë votues ua çoj Vjosa Osmani te Albin Kurti, dhe duke llogaritur se mund t’i kthej prapa nga dalldia e përkohshme me Kurtin, nuk afrohet as rreth çështjeve parimore me PDK-në”, argumenton Maliqi.

“PDK-ja gjithsesi nuk llogaritë më votuesit e Lëvizjes Guxo, se ata nuk janë gjithaq pro Albin, sa janë anti-Thaçi dhe anti-PDK, dhe shpresën e kanë te dështimi i plotë i Albinit, ku do të mund të kthenin një pjesë të votuesve të mëparshëm ose edhe afrimin dhe koalicionin me VV-në”, shton ai.

Gjithçka mori të tatëpjetën me 26 maj kur Qeveria e Kosovës – pa koordinim me ndërkombëtarët – vendosi që, të shoqëruar nga policia, të fusë tre kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Serbët lokalë protestuan të premten, por situata nuk eskaloi.

Të hënën, kur protestuesve iu bashkuan banda huliganësh nga Veriu, shpërtheu protesta dhe përfundimi ishte rreth 40 ushtarë të KFOR-it të lënduar, meqë ata krijuan kordon mes protestuesve dhe policisë.

Nga kjo ditë, shpërthime më nuk ka pasur, por gjendja s’është shtensionuar akoma.

Përkundër se ishin protestuesit që përdoren dhunën, spektri diplomatik e ka bërë kryesisht fajtore qeverinë e Kosovës për zhvillimet, pikërisht për faktin që morën hapa të pakoordinuar me ta.

Madje SHBA-të lëvizën edhe konkretisht duke larguar Forcën e Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet ushtarake me shtetet e NATO-s.

Nga e hëna e 29 majit, Kurti është paraqitur në shumë media botërore duke shpjeguar se argumenti i tij për lëvizjen në Veri ka të bëjë me ruajtjen e shtetësisë dhe shtrirjen e sovranitetit edhe atje.

Ekskluzive: Sanksione në dy faza, non-grata, bllokim fondesh e përjashtim nga organizata dhe kthim i Veriut nën protektorat të KFOR’it – të gjitha këto nëse Kurti thotë jo

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore