Covid 19

OJF-ët rinore reduktojneë numrin e punonjësve gjatë pandemisë


Gjatë periudhës së pandemisë, 24% e organizatave jo-fitimprurëse rinore janë detyruar të reduktojnë numrin e punonjësve në Shqipëri, sipas raportit të publikuar nga Kongresi Rinor Kombëtar dhe fondacionit Konrad Adenaur Stiftung, në tetor të 2020-ës.

Reduktimi i numrit të punonjësve në sektorët privatë ka qenë një nga problematikat e periudhës së COVID-19 ku sipas të dhënave të Ministrisë së
Financave dhe Ekonomisë rreth 60 mijë qytetarë shqiptarë ngelën të papunë në të gjitha sektorët privatë.

Në dy prill të 2020-ës, Qeveria publikoi Aktin Normativ Nr. 12, me qëllim
shtyrjen e pagesave të qirasë për dy muaj, prill dhe maj për tre kategori: biznesin e vogël që është mbyllur për shkak të situatës, familjarëve të regjistruar në punë por që e kanë ndaluar aktivitetin e tyre për shkak të luftës, si dhe studentët e ardhur nga rrethet që janë larguar nga banesat e tyre, pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.

OJF-ët rinore nuk janë përfshirë në këtë paketë duke krijuar kështu barriera në zhvillimin e aktivitetit të tyre si dhe vështirësi financiare të ndryshme në këtë periudhë pandemie.

Sipas raportit “Analizë e Politikave Rinore në nivel Qendror-2020″, publikuar nga KRK,16.7% e organizatave e kishin të pamundur pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, 20.8% prej tyre e kishin të pamundur të paguanin qiranë e zyrave ndërsa 62.5% shprehen se u vendosën përpara vështirësive financiare për shkak se kontratat dhe aktivitetet e tyre me donatorët u pezulluan ose anuluan.

“Kërkojmë trajtim të barabartë si sektorët e tjerë, duke qenë se dhe ne jemi tatimpagues. Fond mbështetës për qira dhe shpenzimet e zyrës”, është shprehur drejtuesi i një organizate rinore, pjesë e anketimit të bërë në kuadër të raportit të KRK-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore