Shqipëria

Ogerta Manastirliu: “Me ardhjen e 60 mijë dozave CoronaVac, vijojmë me inokulimin e dozave të dyta”


Në aeroportin “Nënë Tereza” sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac/CoronaVac. Për të mirëpritur ardhjen e dozave të tjera është e pranishmja ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Ministrja Manastirliu u shpreh se kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës kineze, CoronaVac së kompanisë Sinovac, të cilat janë pjesë e kontratës së dytë të qeverisë shqiptare që ka negociuar me distributorin e autorizuar.

“Këto 60 mijë doza të cilat kanë ardhur do të përdoren për të gjithë ata që kanë inokuluar dozën e parë dhe sipas kalendarit të vaksinimit duhet të vijojnë me dozën e dytë”, deklaroi Manastirliu.

Ajo theksoi se në Shqipëri, së bashku me dozat e mbërritura janë më shumë se 830 mijë doza në total, të cilat kanë mbërritur apo janë distribuuar dhe janë administruar në vend.

Manastirliu rikujtoi se shifra e vaksinimit deri ditën e djeshme, pra deri të shtunën e 22 majit është 712 mijë dhe më shumë se 240 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Ministrja garantoi se vaksinimi masiv mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe fushata është në grup-moshën +60, me fokus te grupet e riskut. Vijojmë me vaksinimin e punonjësve të fasonerive dhe të punësuarëve pranë HORECA-s.

“Me ardhjen e dozave të tjera do të ulim dhe fashën e grupit të riskut te punonjësit e transportit urban si pjesë e planit të vaksinimit të kombinuar”, shtoi ajo.

Sakaq, sipas të dhënave nga Ekspertët Teknik, gjendja epidemiologjike në vend është normalizuar, fryt kjo i fushatës masive të vaksinimit, sipas ministres Manastirliu.

Ditën e nesërme, ministrja deklaron se do të mbërrijnë 14 mijë vaksina të tjera. Qëllimi i qeverisë, sipas saj, mbetet angazhimi i 1 milion vaksinimeve brenda muajit qershor.

Nga periudha fund-maj; fillim-qershor priten të vijnë edhe 40 mijë vaksina AstraZeneca sipas Manastirliut. Me intensifikimin e vaksinimit, shtoi ministrja, do të ulet dhe fasha e të vaksinuarve sipas furnizimit të vazhdueshëm me vaksina të ndryshme.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore