Shqipëria

Ocean Sun: Flota e Banjës do të rindërtohet së shpejti


Gjatë prezantimit të raportit për tremujorin e tretë të kompanisë “Ocean Sun”, CEO i saj Børge Bjørneklett, u ndal edhe te problemi me termocentralin lundrues në Banjë të Shqipërisë.

“Flota e parë do të rindërtohet së shpejti dhe pjesa e mbetur prej 1.5 megavat pritet në një fazë të dytë gjatë vitit 2022”, shkruan kompania në raportin e tremujorit të tretë.

Ocean Sun dhe Statkraft më herët përmbyllën një marrëveshje për ndërtimin e një termocentrali diellor lundrues me dy megavat në hidrocentralin e Statkraft në Banjë.

Gjatë muajit qershor, Ocean Sun pësoi një aksident me pjesën e parë të këtij projekti, prej 0.5 megavat, pas një stuhie.

Sipas kompanisë, impianti ishte pjesërisht i zhytur në ujë dhe kishte nevojë për riparim.

Në raportin e mëparshëm tremujor, Ocean Sun tha se arsyeja ishte shpejtësia më e lartë nga sa ishte projektuar e erës. Kompania norvegjeze garanton në raport se nuk do të ketë aksidente të tilla në të ardhmen.

CEO i Ocean Sun, Børge Bjørneklett
Ndërtimi i situatës

Më 5 maj 2021, kompania diellore lundruese, Ocean Sun, përfundoi së bashku me kompaninë Stakraft, fazën e parë të implementimit të një platforme lundruese mbi liqenin e Banjës, për prodhimin e energjisë diellore.

Më 3 qershor ndërkaq, platforma filloi zyrtarisht operimin tregtar. Në një fazë të dytë, pas testeve fillestare, pritej të vendoseshin edhe tre platforma të tjera të tilla.

Por, asokohe në lundrim mbi ujërat e liqenit të Banjës, nuk kishte më asgjë!

Disa raportime nga website-i i njohur i energjisë së rinovueshme, Offshore Energy, tregonin për një dëmtim madhor të strukturës, duke e lënë atë gjysmë të zhytur në ujë.

Albanian Post provoi të kontaktonte në atë periudhë me të dyja kompanitë, por asnjëra prej tyre nuk u përgjigj mbi çështjen.

Si u zhvillua faza e parë?

Faza e parë përfshinte ndërtimin e një lundruesi energjetik me diametër 68.8m dhe një prodhim energjie prej 0.5MWp.

Instalimi përfaqësonte së pari Ocean Sun, duke përdorur modelin e tij të ri. Ai përbëhet nga një sistem i vetëm tubash dhe ishte pothuajse dy herë më i madh se çdo instalim i mëparshëm, sipas kompanisë.

Përafërsisht 1 mijë e 600 panele u vendosën gjatë dy ditëve efektive të instalimit, informoi Ocean Sun.

“Instalimi i suksesshëm është një demonstrues i rëndësishëm i dizajnit dhe përparësive konkurruese të Ocean Sun. Kjo, si për komunitetin e hidrocentraleve, ashtu edhe për instaluesit e tjerë të mundshëm të diellit lundrues”.

Faza dy e projektit do të përfshinte instalimin e tre lundruesve shtesë me madhësi të barabartë.

Sipas Ocean Sun, ai synonte të ankoronte të katër unazat e shtrënguara së bashku, duke formuar kështu një tufë në formë diamanti.

Paraqitja e tillë e ankorimit, mundësonte shfrytëzim të mirë të zonës dhe dendësi të lartë të energjisë. Ndërsa, lundruesit individualë mund të ndanin ankorimin, duke siguruar përfitime të mëtejshme të kostos, pretendonte Ocean Sun.

Në dhjetor të vitit 2018, Statkraft Albania mori një autorizim paraprak nga qeveria shqiptare për zbatimin e një impianti diellor lundrues në Banjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore