Lajme

OBSH miraton vaksinën Covaxin të Indisë


Vaksina Covaxin e Indisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka miratuar vaksinën e një prodhuesi indian për përdorim urgjent kundër Coronavirusit.

Sipas OBSH-së përfitimet e përdorimit të vaksinës Covaxin “i tejkalojnë rreziqet”.

“Ajo është jashtëzakonisht e përshtatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për shkak të kërkesave të lehta për ruajtje”, ka thënë OBSH-ja.

Përpara se të frenonte dërgesat e vaksinave jashtë shtetit në prill, India kishte dhuruar ose shitur më shumë se 66 milionë doza Covid-19, përfshirë Covaxin.

Covaxin prodhohet nga kompania Bharat Biotech dhe efektiviteti i saj është rreth 78 për qind.

Vaksina Covaxin e Indisë.

Bharat Biotech, tha në një deklaratë se ka krijuar prodhimin e Covaxin për të arritur një kapacitet vjetor prej 1 miliard doza deri në fund të vitit 2021, me aktivitetet e transferimit të teknologjisë në progres me kompanitë në Indi, përcjell CNN.

Gjashtë vaksinat e tjera kundër Coronavirusit, të miratuara nga OBSH-ja deri tani janë: AstraZeneca, Pfizer/BioNTech, Johnson & Johnson, Moderna, Sinopharm dhe Sinovac.

Miratimi nga OBSH-ja hap rrugën që vendet pa rregullatorë mjekësorë, t’i ndjekin udhëzimet e kësaj organizate për përdorimin e vaksinave.

Rregullatori i barnave në Indi e ka autorizuar përdorimin e Covaxin-it qysh nga janar.

Deri në mes të tetorit të vitit 2021, në Indi janë dhënë mbi 110 milionë doza të kësaj vaksine.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore