Lajme

Nxorën jashtë Kuvendit gazetarët, Organizatat e Mediave Armene në protestë


Parlamenti i Armenisë

Organizatat e Lirisë së Mediave Armene kanë dënuar autoritetet pas largimit të gazetarëve, nga një dhomë e rezervuar për shtypin në Asamblenë Kombëtare, gjatë përleshjeve që ndodhën mes deputetëve këtë javë.

Sipas rregullores, përfaqësuesit e mediave mund që t’i ndjekin seancat vetëm nga një dhomë e rezervuar për shtypin me pamje nga dhoma dhe e mbyllur me dritare xhami.

Rojet e sigurisë hynë në dhomë, duke detyruar gazetarët të ndalonin regjistrimin dhe të largoheshin. Kjo, në momentin kur shpërthyen përleshjet midis ligjvënësve pro-qeveritarë dhe opozitës gjatë seancave të 24 dhe 25 gushtit.

Sipas gazetarëve dhe organizatave të mbrojtjes së lirisë së shtypit, veprime të tilla “shkelin të drejtat e tyre”, duke penguar punën e mediave.

Sipas ligjit armen, diçka e tillë përbën vepër penale.

Gevorg Tosunian, një reporter me webfaqen e lajmeve “Civilnet”, për Shërbimin Armen të “Radios Evropa e Lirë” tha se rojet e sigurisë përdorën forcë për t’i larguar gazetarët nga dhoma gjatë sherrit të fundit, edhe pse kryeparlamentari, Alen Simonian, nuk kishte njoftuar pauzë, që do të thotë se seanca ishte ende në progres.

“Ata nuk dhanë arsye për veprimet e tyre. Gazetarëve me media të tjera, përfshirë Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë, iu kërkua gjithashtu të largoheshin nga dhoma”, tha Tosunian.

Gjithashtu, ai tha se qëllimi i udhëheqjes së Asamblesë Kombëtare ishte ndoshta të parandalonte përhapjen e regjistrimeve video të incidenteve brenda dhomës.

Por ai shtoi se, vetëm duke parë skena të tilla, publiku mund ta dijë se çfarë po ndodh në të vërtetë në legjislaturë.

“Ky është mjedisi ynë i punës. Ne jemi të mbrojtur nga Ligji për Masmedia, ashtu siç jemi të mbrojtur nga Kodi Penal, i cili thotë qartë se pengimi i aktiviteteve të një gazetari është tashmë një krim”, tha ai.

Organizatat e medias i dënuan incidentet, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund asaj që ata e përshkruan si kufizime të paligjshme dhe ngacmimit të gazetarëve.

Daniel Ioannisian, përfaqësues i “Unionit të Qytetarëve të Informuar”, tha se organizata i ka bërë apel Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe do të kërkojë një çështje penale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore