Lajme

“Numri i gazetarëve të burgosur në botë – gjatë 2021 – në nivel të lartë”


Një protestë për vrasjen e gazetarit Jacinto Romero Flores në gusht.

Numri i gazetarëve, që ndodhen prapa hekurave në të gjithë botën, gjatë 2021, arriti një shifër më të lartë sesa vitet e kaluara.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), që nga 1 dhjetori i vitit 2021 janë burgosur 293 reporterë.

Ndërsa, të paktën 24 gazetarë u vranë dhe 18 të tjerë vdiqën në rrethana, të cilat e bëjnë shumë të vështirë përcaktimin nëse ishin në shënjestër për shkak të punës së tyre, është përfundimi i sondazhit të bërë publik më 9 dhjetor.

Numri i të burgosurve, më i lartë  krahasuar me vitin 2020

Ndërsa arsyet për burgosjen e gazetarëve ndryshojnë midis vendeve, numri rekord pasqyron trazirat politike në mbarë botën dhe një intolerancë në rritje ndaj raportimit të pavarur, sipas organizatës jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara.

“Ky është viti i gjashtë me radhë që CPJ ka dokumentuar një numër rekord gazetarësh të burgosur në mbarë botën”, tha drejtori ekzekutiv i CPJ-së, Joel Simon, në një deklaratë.

“Numri pasqyron dy sfida të pazgjidhshme – qeveritë janë të vendosura për të kontrolluar dhe menaxhuar informacionin. Ato janë gjithnjë e më të pafytyra në përpjekjet e tyre për ta bërë këtë”.

Rreziqet me të cilat ballafaqohen gazetarët dolën në pah, kur policia në Filipine tha se një gazetar u vra në një sulm të stilit të ekzekutimit, ndërsa shihte televizor në një dyqan në qytetin qendror të Calbayog-it.

Një protestë për vrasjen e gazetarit Jacinto Romero Flores në gusht. Meksika është vendi më i rrezikshëm i hemisferës perëndimore për gazetarët.

Jesus Malabanan, korrespondent provincial 58-vjeçar në gazetën “Manila Standard”, humbi jetën  teksa po transportohej në spital, pasi u qëllua një herë në kokë nga njëri prej dy burrave me motoçikleta.

Gazetarë të tjerë, të cilët u vranë në vitin 2021: Danish Siddiqui – fotograf i Reuters që vdiq në një sulm taleban në Afganistan në korrik dhe gazetari meksikan i radios, Jacinto Romero Flores, i cili u qëllua për vdekje në Veracruz.

Kina burgosi 50 gazetarë, më së shumti nga çdo vend, e ndjekur nga Myanmar (26), i cili arrestoi gazetarët si pjesë e një goditjeje pas grushtit të shtetit të saj ushtarak, pastaj Egjipti (25), Vietnami (23) dhe Bjellorusia (19), tha CPJ.

Për herë të parë, lista e CPJ përfshin gazetarë të burgosur në Hong Kong – një nënprodukt i ligjit të sigurisë kombëtare të vitit 2020, i cili e bën çdo gjë që Pekini e konsideron si përmbysje, shkëputje, terrorizëm ose bashkëpunim me forcat e huaja të dënohet me burgim të përjetshëm.

Meksika, ku gazetarët janë shpesh në shënjestër kur puna e tyre shqetëson bandat kriminale, ose zyrtarët e korruptuar, mbetet vendi më vdekjeprurës i hemisferës perëndimore për gazetarët, sipas CPJ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore