Shqipëria

Nuk u regjistruan në zgjedhjet e 6 marsit, Komisioni i Rithemelimit: Rama po bën çdo gjë që opozitën ta përfaqësojë pengu i tij


“Sot, njësoj si më 8 janar, shqiptarët u bënë dëshmitarë se Rama po bën çdo gjë që opozitën ta përfaqësojë pengu i tij Lulzim Brava dhe ish-ministrat e tij”.

Ky ka qenë reagimi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike i ish-kryeministrit Sali Berisha, pasditen e 4 shkurtit në lidhje me vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili regjistroi zyrtarisht koalicionin mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane.

Celibashi nën argumentin se simbolet e PD-së, nuk mund të përdoren përveçse nga Partia Demokratike, nuk e pranoi Komisionin e Rithemelimit në koalicionin me logon “Shtëpia e Lirisë”.

Në deklaratën e tyre theksohet se, “tashmë demokratët e kanë të qartë kush është opozita e vërtetë”.

“E kanë të qartë nga humbjet e një pas njëshme këto tetë vjet të gjitha si pasojë e shitjes që Lulzim Brava u bëri sakrificave dhe kontributit të tyre për fryrjen e xhepit familjar. Ata kanë parë qartësisht aferat e përbashkëta të pazarit Rama-Basha për portin e Durrësit dhe ndërtimet tek 5 Maji”, vijon deklarata më tej.

Në përfundim ata bëjnë me dije se më 6 mars demokratët do të votojnë si njerëz të lirë për kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”.

11 janë subjektet partiake që i ka regjistruar zyrtarisht Komisioneri në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Përkatësisht partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.e.

Mirëpo, në letër, fraksioni i Berishës brenda PD-së, nuk do të jetë pjesë e koalicionit. Komisioni i Rithemelimit, de jure nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve, por de facto po.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore