Shqipëria

Regjistrohen zyrtarisht 11 subjekte partiake në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pasditen e 2 shkurtit ka njoftuar se janë regjistruar zyrtarisht 11 subjekteve partiake në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Përkatësisht regjistrohen partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Nga ana tjetër Celibashi ka theksuar se koalicionet partiake kanë afat 24 orë për të dorëzuar kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Sikurse është e parashikuar dhe në aktin përkatës të KQZ-së brenda 24 orëve partitë kanë të drejtën për të paraqitur kërkesën për tu regjistruar si koalicion”, tha Celibashi.

Nga njoftimi i Celibashit, vërehet se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së – i dalë nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha – nuk është regjistruar pranë KQZ-së si subjekt politik.

Më 31 janar LSI-ja dhe PDK-ja firmosën koalicionin për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit me Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, nën logon “Shtëpia e Lirisë”.

Ndërsa një ditë më parë LSI-ja ka paraqitur KQZ-së, kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore