Shqipëria

Një Tiranë më e dendur, por me çfarë kostoje?


Dekadën e ardhshme, Tirana është gati për një ndryshim dramatik.

Në qendër të kryeqytetit, ndërtesat moderne të larta po zënë vendin e përzierjes aktuale të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë joformale dhe atyre historike.

Kjo me plan. Ndryshe i quajtur Tirana 2030.

Kështu e ka nisur agjencia e lajmeve, “Bloomberg”, artikullin me fokus Shqipërinë dhe të nesërmen e kryeqytetit të saj të rrethuar nga rrokaqiejt.

Qëllimi i planit është të ndalohet shtrirja urbane duke përqendruar ndërtimet në bërthamën e qytetit dhe për ta kthyer Tiranën në një qytet më të gjelbër me korsi biçikletash, me më shumë automjete elektrike dhe zona të gjelbra.

Përballë këtij plani, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës, me një GDP për frymë që është rreth 30 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian.

Prandaj dhe rinisja dramatike nevojitet për ta kthyer kryeqytetin e gjallë, por kaotik, në një metropol modern evropian. Të paktën kështu mendojnë vendimmarrësit.

Mirëpo, me rrokaqiejt që ngrihen dita-ditës në të gjithë qytetin dhe disa ndërtesa historike kryesore tashmë të shkatërruara, kritikët e planit shqetësohen se qyteti po u shitet zhvilluesve me pak konsultime publike.

Referuar arkitektëve, akademikëve dhe aktivistëve, prishja po çon në harresë të historisë. Madje, po ndihmon edhe në pastrimin e parave të grupeve të krimit të organizuar.

Historia e pasur e Shqipërisë shfaqet plotësisht në qendër të qytetit të Tiranës, dallon “Bloomberg”.

Sheshi i madh në zemër të Tiranës, ai Skënderbej, është bërë qendra e qytetit pas çlirimit nga Perandoria Osmane në fillim të viteve 1900.

I projektuar gjatë pushtimit italian, ai përmban ndërtesa moderne italiane të viteve 1930 dhe arkitekturë të stilit sovjetik nga periudha e mëvonshme socialiste.

Më tej, rrugët e gjera paraqesin një përzierje të banesave të epokës italiane dhe blloqeve të mëvonshme të apartamenteve. Shumë prej tyre të rimodeluara rrënjësisht nga banorët që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990.

Janë edhe kryqëzimet me rrugicat që të paraqesin një panoramë urbane lara-lara të rastësishme, por të gjallë.

Tanimë, Sheshi Skënderbej është në qendër të ndryshimeve.

Më parë, një nga rreth-rrotullimet më të frekuentuara të qytetit është pedonalizuar, duke krijuar një hapësirë ​​publike shumë të nevojshme.

Megjithatë, shkruan “Bloomberg”, ka edhe disa shtesa më të diskutueshme.

Teatri Kombëtar, i ndërtuar në vitin 1938 dhe i konsideruar si një shembull i jashtëzakonshëm i futurizmit italian, u shkatërrua në maj të vitit 2020 pas një lufte dyvjeçare nga aktivistët, për t’i hapur rrugë një teatri të ri dhe më të madh.

Pa paralajmërim dhe e bërë natën vonë, prishja nuk u ndal edhe pse shumë aktivistë ishin ende brenda ndërtesës historike.

Pas protestave, firma e arkitekturës Bjarke Ingels Group u raportua se ishte tërhequr nga projekti, duke e ndërprerë punën dhe duke e lënë vendin të bllokuar nga gardhe të përkohshme.

Nuk mungoi as një faltore e vogël e mbushur me qirinj përpara teatrit të vjetër. As zërat e protestuesve për të cilët shembja e teatrit, rrëzonte njëherazi kujtesën kolektive.

Për të parën herë, planet për rinovimin e qendrës së qytetit u zbuluan në vitin 2016 nën emrin Tirana 2030.

Që prej rënies së regjimit të dikurshëm komunist në fillim të viteve 1990, mijëra njerëz u shpërngulën nga zonat rurale në kryeqytet në kërkim të punës, duke ndërtuar vendbanime në ish-tokën bujqësore në pronësi të shtetit.

Joni Baboçi, këshilltar i kryetarit të bashkisë për planifikimin dhe arkitekturën, ka argumentuar se megjithëse kjo i dha qytetit mjaft karakter, rezultoi në mungesë të hapësirës publike. Gjithashtu veniti harmoninë arkitekturore.

“Donim të krijonim një qendër të vogël urbane shumë të dendur dhe të ruanim sa më shumë territorin periferik dhe rural. Pra, plani thuajse ndalon zhvillimin për arsye banimi jashtë bërthamës dhe i nxit njerëzit të ndërtojnë në qendër”, ka shpjeguar ai.

Arkitekti italian Stefano Boeri projektoi një pyll orbital për të mbyllur këtë qendër dhe ndihmoi në hartimin e një plani që do të siguronte më shumë gjelbërim dhe hapësirë ​​publike.

Janë futur korsitë e biçikletave, si dhe stimuj për taksistët që të kalojnë në makina elektrike.

Sipas Baboçit, zhvilluesit inkurajohen të ndërtojnë më lart për të rritur densitetin. Në këmbim, ata duhet t’i japin qytetit një përqindje të caktuar të tokës përreth ndërtesës për ta përdorur si hapësirë ​​publike.

Dhe sa më lart të ndërtojnë, aq më i madh është proporcioni që duhet të kthehet në qytet.

Por për t’i hapur rrugë këtij ndërtimi të ri, ndërtesat ekzistuese po prishen. Baboçi ka treguar se zhvilluesit e pronave hyjnë në një marrëveshje me pronarët aktualë të tokave, të cilëve u jepet një përqindje e zhvillimit të përfunduar.

Gjithashtu bashkia mbledh një taksë prej tetë për qind dhe sipas tij, vendimi për të përqendruar zhvillimin në qendër ishte pjesërisht i motivuar financiarisht, pasi çmimet e pronave atje janë më të larta.

Ndërkohë, shkruan “Bloomberg”, zhvillimi i rastësishëm i Tiranës ka bërë që objektet si këndet e lojërave dhe parqet të kenë qenë të pakta.

Për kritikët, zhvillimet e deritanishme nuk i plotësojnë kriteret, si dhurimi i një pjese të tokës për hapësirë ​​publike dhe se shumë prej tyre po ndërtohen pa ndonjë plan të qartë.

Paçka se bashkia thekson se planet gjenden në internet për t’i parë të gjithë. Një hartë në faqen e vet të internetit liston se çfarë mund të ndërtohet në çdo zonë të vogël të qendrës së qytetit për sa i përket lartësisë dhe përdorimit të tokës.

Boeri ka ndarë interpretimet e tij duke treguar shumë nga tiparet e gjelbra të dizajnit të ri, por asnjë plan i detajuar se si do të duket qendra e transformuar nuk është publikuar

Aktivistët dhe arkitektët kanë sqaruar se kjo e bën të pamundur për njerëzit e zakonshëm të kuptojnë se çfarë forme do të marrin zhvillimet.

Duke pasur parasysh ekonominë e dobët të vendit, veçon “Bloomberg”, ka edhe shqetësime se nga vijnë paratë për këto zhvillime. Sipas një numri ekspertësh, vendi është bërë një vend i preferuar për kriminelët ndërkombëtarë për të pastruar paratë e tyre.

Në Itali, prokurorët antimafia kanë zbuluar se grupi i organizuar kriminal ‘Ndrangheta’ e kishte identifikuar ndërtimin e ri të Tiranës si një mundësi pastrimi parash.

Kurse Task Forca e Veprimit Financiar (FAFT), një mbikëqyrës global i pastrimit të parave, e ka vendosur Shqipërinë në “listën gri”, çka do të thotë se konsiderohet me rrezik të lartë për pastrim parash për shkak të dobësive në sistemet e saj.

Gjithashtu i ka përcaktuar pasuritë e paluajtshme si një sektor që ngre shqetësim të veçantë.

Edhe Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri ka treguar se ka vëzhguar “investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”, të cilat i ka klasifikuar si “të dyshimta”.

Por Baboçi nuk beson se aktiviteti i paligjshëm është i përhapur.

“Për mendimin tim, kur ndërton, nuk është e lehtë të pastrosh para. Çdokush mund të shkojë të kontrollojë dhe të shohë se çfarë keni investuar dhe sa keni deklaruar”, ka shpjeguar ai.

Në shkurt 2020, vendi ndërmori një angazhim politik për të forcuar sistemet kundër pastrimit të parave dhe që atëherë ka ndërmarrë hapa, duke përfshirë një rritje të sanksioneve financiare të synuara.

Gjithçka paguhet në bankë. Ndryshe nga administrata e mëparshme, ku njerëzit vinin me para në dorë për të paguar taksat, tashmë bëhen tërësisht online.

Paçka burimit të parave, rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme po i bën banesat më pak të përballueshme, ravijëzon “Bloomberg”.

Çmimet e pronave në Tiranë janë rritur me rreth gjashtë për qind që nga viti 2020, ndërkohë që ekonomia e përgjithshme është tkurrur thuajse në të njëjtën masë për shkak të pandemisë.

Nga ana tjetër, rasti i shembjes së teatrit për Paolo Vitti-n, profesor i arkitekturës në Universitetin e Notre Dame, nuk ka kuptim.

Ai ka theksuar se e gjithë qendra e Tiranës duhet mbrojtur për shkak të historisë dhe rëndësisë arkitekturore.

“Gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një qëndrim shumë agresiv nga bashkia në përpjekje për të shitur idenë se moderniteti vjen nga shembja e ndërtesave të vjetra dhe krijimi i arkitekturës spektakolare bashkëkohore”, ka thënë ai.

Profesori ka paralajmëruar se ky lloj zhvillimi nga lart-poshtë, i cili në thelb importon një qytet të ri me ndjenjë anonime në krye të një qyteti ekzistues, rrezikon të krijojë një mori problemesh mjedisore dhe sociale, duke përfshirë tjetërsimin dhe trazirat civile.

“Ndërtesat kanë kuptim vetëm nëse njerëzit u japin atyre kuptim. Ato nuk ekzistojnë për vlerën e tyre objektive”, ka vijuar ai.

“Bloomberg” shkruan se shembja e teatrit, e cila ndihmoi në ndërtimin e një lëvizjeje të dukshme të shoqërisë civile, nuk u ka dhënë aktivistëve besimin se të tilla episode do të ndalen.

Për shumicën prej tyre, mandati i tretë i së njëjtës parti në pushtet e lëkund besimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore