Lajme

Një person gjendet i vdekur në Obiliq, Policia nis hetimet


Ilustrim.

Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën në oborrin e shtëpisë së tij në Obiliq.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Obiliq, 02.08.2023 – 00:08. Raportohet se në oborrin e shtëpisë së tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.

Kurse me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërsa, për rastin ku një person kishte mbetur i lënduar në aksident të mërkurën, është njoftuar se të enjten ka ndërruar jetë.

Aksidenti kishte ndodhur në rrugën “Riza Matoshi” në Ferizaj, ku një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte 39-vjeçarja me inicialet B.S., përplasi çiklistin.

62-vjeçari, ishte dërguar menjëherë për ndihmë në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas për tretman të mëtutjeshëm është nisur drejt Prishtinës në QKUK.

Me vendim të prokurorit të rastit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, kurse, i dyshuari vazhdon që të mbahet në qendrën e ndalimit për procedura të tjera hetimore.

Po ashtu, në raport është thënë se të mërkurën janë arrestuar edhe dy persona në Lipjan dhe në Vushtrri, pasi në ahengje familjare kanë shtënë me armë.

Policia bëri të ditur se në njërin rast, në fshatin Sllovi e Lipjanit, është arrestuar i dyshuari që në ahengun familjar ka shtënë disa herë me pushkë gjuetie.

Rasti është iniciuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Fsh. Sllovi, Lipjan, 02.08.2023 – 13:58. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në një aheng familjar kishte shtënë disa herë me pushkë gjuetie”, thuhet në raportin policor.

Arma është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Stanofc i Ulët në Vushtrri, ku është arrestuar i dyshuari që në një aheng familjar ka shtënë me armë zjarri.

Rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë si dhe nga i dyshuari janë konfiskuar një armë me gaz me një karikator i zbrazët. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore