Euro 2020

Një ndeshje për një jetë


Skuadra e Danimarkës të rrethuar afër Christian Eriksen pas sulmit në zemër

Pas lajmit se Christian Eriksen është në gjendje stabile, ndeshja vazhdoi dhe Finlanda fitoi me rezultat 1:0.

Megjithatë, kjo ndeshje nuk ishte aq e rëndësishme për danezët, sa jeta e Eriksen që u vu në rrezik.

Mbështetja për Eriksen dhe skuadrën e Danimarkës nuk mungoi asnjë moment, duke filluar nga stafi mjekësor, deri te tifozët.

Kardiologu sportiv, Profesori Sanjay Sharma, tha për BBC se “gjëja që i shpëtoi jetën ishte vëmendja shumë urgjente dhe e shpejtë mjekësore”.

Mjeku i ekipit të Danimarkës, Martin Boesen, foli në një konferencë shtypi pas ndeshjes dhe shpjegoi se si ngjarjet u zhvilluan.

“Ishte e qartë se ai ishte pa ndjenja”, tha ai.

“Kur shkova tek Eriksen, ai ishte në krah, po merrte frymë, unë mund të ndieja pulsin e tij, por papritmas kjo ndryshoi dhe ne filluam t’i japim frymarje artificiale”.

Stafi Mjekësor duke i dhënë Eriksen ndihmën e parë

“Ndihma erdhi me të vërtetë shpejtë nga ekipi mjekësor dhe pjesa tjetër e stafit dhe ne bëmë atë që duhej të bënim dhe arritëm ta kthenim Christian-in në jetë”, shtoi ai.

Fabrice Muamba, një mesfushor anglez, po ashtu pësoi një sulm kardiak gjatë një loje për Bolton Wanderers në 2012. Ai u shërua por nuk luajti kurrë më.

Lojtarëve danezë iu dhanë dy zgjedhje pasi ndeshja u anulua, për të përfunduar ndeshjen atë natë, ose në mesditë të ditës tjetër.

Pasi dëgjuan që Eriksen ishte në rregull, ata vendosën ta mbaronin atë mbrëmje.

Loja rifilloi në 20:30, pothuajse dy orë pasi Eriksen pësoi sulm në zemër.

Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand tha: “Ka qenë një natë e vështirë. Të gjithëve na kujtohet se cila është gjëja më e rëndësishme në jetë, të kemi marrëdhënie të vlefshme, njerëz me të cilët jemi afër, familjen dhe miqtë tanë.

“Nuk mund të jem më shumë krenar për ata lojtarë që u kujdesën aq mirë për njëri-tjetrin. Ai është një nga miqtë e mi shumë të dashur. Bashkëlojtarët biseduan në dhomën e zhveshjes dhe kishin vendosur të mos bënin asgjë para se ta dinim se Christian ishte i vetëdijshëm dhe në gjendje stabile.

“Është e vështirë të luash një ndeshje me ndjenja të tilla. Ne u përpoqëm të fitonim. Ishte e pabesueshme që ata arritën të dilnin dhe të përpiqeshin të luanin pjesën e dytë.

“Ka lojtarë që janë rraskapitur plotësisht emocionalisht. Ishte një përvojë traumatike. Ne biseduam për ato ndjenja dhe do të ishte në rregull të thonim ‘jo’ nëse ata nuk dëshironin të luanin.

“Disa prej tyre nuk ishin në gjendje të luanin, disa ishin gati. Ne thjesht u përpoqëm të bëjmë më të mirën tonë, por ne nuk mund të luajmë një lojë futbolli kur një nga miqtë tanë po vuante me problem zemre.

Edhe pse “armiq” në fillim të ndeshjes, tifozët e Danimarkës dhe Finlandës u bashkuan pas tragjedisë, duke mbështetur në çdo moment ekipin danez.

Në një moment, tifozët e Finlandës brohorisnin “Christian” dhe tifozët e Danimarkës përgjigjeshin duke thirrur “Eriksen”.

Të gjithë ata u dhanë brohoritje lojtarëve kur u kthyen në fushë për të rifilluar ndeshjen.

Kapiteni i skuadrës Simon Kjaer, kishte reagim fantastik, ku i dha mikut të tij të skuadrës ndihmën e parë dhe pastaj menjëherë shkoi ta ngushëllojë gruan e Eriksen, e cila po shpërthente në lot.

Momenti kur Kjaer ndihmoi Eriksen dhe gruan e tij

Me gjestet e ndeshjes përballë Finlandës, skuadra e Danimarkës tregoi se eliminimi nuk do jetë problem, për sa kohë Eriksen është në gjendje stabile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore