Lajme

Një i vrarë pas sulmit të armatosur në ambasadën e Azerbajxhanit në Iran


Një roje është vrarë në një sulm të armatosur në ambasadën e Azerbajxhanit në kryeqytetin e Iranit, Teheran.

Kështu ka lajmëruar ministria e Jashtme e vendit.

“Sulmuesi depërtoi postbllokun e rojes, duke vrarë shefin e sigurisë me një pushkë kallashnikov”, thuhet në njoftim.

Sulmi i së premtes ka plagosur gjithashtu dy persona dhe një hetim është nisur.

Policia në Teheran tha se ka arrestuar një të dyshuar dhe po heton motivin e sulmit.

I dyshuari hyri në ambasadë me dy fëmijë të vegjël dhe mund të ketë qenë i motivuar nga “çështje personale”, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve iraniane “Tasnim”, duke cituar shefin e policisë.

Irani, shtëpia e miliona azerbajxhanasve etnikë, ka akuzuar prej kohësh Bakun për nxitjen e ndjenjave separatiste në territorin e tij.

Marrëdhëniet midis Baku-s dhe Teheranit kanë qenë tradicionalisht të acaruara, pasi Azerbajxhani turqishtfolës është një aleat i ngushtë i rivalit historik të Iranit, Turqisë.

Irani është gjithashtu dyshues për bashkëpunimin ushtarak të Azerbajxhanit me Izraelin – një furnizues kryesor i armëve për Baku – duke thënë se Tel Avivi mund të përdorë territorin e Azerbajxhanit si një urë lidhëse kundër Iranit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore