Përballje

Një fije jete për djajtë, fitojnë një pikë në Londër


Kryendeshja e javës në Premier League u zhvillua në “Stamford Bridge”, mes liderëve të Chelsea-s dhe Manchester United.

Edhe pse dy emrat janë shumë të mëdhenj dhe zakonisht kjo ndeshje shpreh barazi, Chelsea ishte favorit absolut para ndeshjes.

Dhe këtë, Blutë e Londrës e shfaqën në fushë.

Gjatë gjithë pjesës së parë, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel e mbajti United-in në gjysmëfushën e tyre.

Por, Manchester United ishte shumë me fat pasi Chelsea nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës.

45 minutat e para u mbyllën ashtu siç edhe filluan, me rezultat 0-0.

Në pjesën e dytë, United u fut pak më mirë.

Pak minuta pas fillimit të periudhës së dytë në ndeshje, Djajtë e Kuq kaluan në epërsi.

Një gabim i Jorginho-s, e nxorri të vetëm me portier Jadon Sancho-n

Ky i fundit e hapi llogarinë e golave edhe në Premier League, duke u treguar i saktë ballë për ballë me portierin e Chelsea-s, Edouard Mendy.

Jorginho pastroi gabimin, duke shënuar më pas në portën e De Gea-s.

Italiani shfrytëzoi mirë mundësinë nga pika e bardhë, duke barazuar në 1-1.

Përkundër inkuadrimit të Cristiano Ronaldo-s dhe Romelu Lukaku-t, rrjetat nuk u tundën më.

Të dy skuadrat morrën nga një pikë nga kjo ndeshje, me Chelsea-n që mbetet e para me 30 pikë, dhe United që ngjitet në vendin e tetë me 18 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore