Shqipëria

Defender Europe 21, Shqipëria e përzgjedhur jo rastësisht


Ka nisur tashmë zyrtarisht stërvitja më e madhe e tre dekadave të fundit, Defender Europe 21, e cila do të zhvillohet në shtatë baza të ndryshme ushtarake në gjithë Shqipërinë.

Do të jenë 28 mijë trupa nga 26 vende aleate, të cilët do të marrin pjesë në këtë stërvitje ushtarake. Për mbi një muaj, do të zhvillohen stërvitjet ushtarake nga forcat e armatosura të vendeve aleate të NATO-s.

Nga Shqipëria, janë 1 mijë trupa pjesëmarrës në stërvitje.

Forcat e Armatosura Amerikane kanë mbërritur më 3 maj në Shqipëri, për të filluar zyrtarisht këtë mision.

Kim: Zgjedhja e Shqipërisë, jo e rastësishme

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në nisjen e programit të stërvitjes më të madhe ushtarake të 30 vjetëve të fundit, Defender Europe 21.

Ambasadorja Kim, ka theksuar faktin se “përzgjedhja e Shqipërisë për zhvillimin e stërvitjes këtu, është jo e rastësishme”.

Sipas saj, shqiptarët kanë luftuar pranë SHBA-ve. Këta të fundit nuk do t’i harrojnë sakrificat e Shqipërisë.

“Jeni gjendur aty kur Amerika ka pasur nevojë për ju, kur aleatët kanë pasur nevojë për ju. Dhe NATO-ja është gjithmonë aty kur ju keni nevojë”, deklaroi Kim.

Ndër të tjera, ajo shtoi se roli i Shqipërisë në NATO është më i rëndësishëm se kurrë. Sipas saj, Forcat e Armatosura të Shqipërisë e kanë treguar pa hezitim mbështetjen në misionet paqeruajtëse.

Rama: Të vendosur pranë aleatëve amerikanë

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij përshëndetëse në hapjen zyrtare të stërvitjes ushtarake Deferender Europe 21, më e madhja e tre dekadave të fundit në rajon.

“Jemi të vendosur pranë aleatëve tanë amerikanë dhe çdo aleati tjetër të NATO-s”, theksoi kryeministri në fjalimin e tij.

Sipas Ramës, kjo stërvitje është shumë më tepër se sa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët, në funksion të arritjes së kapaciteteve të Shqipërisë.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në, të cilat do të jenë gjithnjë e më të shkëlqyera, falë besimit të madh dhe ndërveprimit reciprok të vazhdueshëm”, shtoi kryeministri.

Ndër të tjera, ai me bindje tha se të gjithë ata, të cilët janë pjesë e trajnimit sot, do të dëshirojnë të kthehen në Shqipëri sërish.

“Nuk jemi vendi më i shkëlqyer në botë me atë çfarë flitet për ne. Por, jam i bindur se, pas zbarkimit tuaj në Shqipëri, do të kërkoni të ktheheni sërish këtu. Shqipëria është një vend, ku, kush vjen, dëshiron të rikthehet përsëri”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore