Lajme

Nis procedimi i pagesave të subvencioneve për bujqit


Ilustrim.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se të premten është proceduar një pagesë e radhës për subvencionet e bujqve.

Këtë Peci, e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Po e përmbyllim javën me 12,128,781.73 milionë euro të proceduara për pagesë për 8,806 bujq, përfitues të Programit për Pagesa Direkte / Subvencione 2022 për çdo kulturë bujqësore. Vlera e proceduar sot për pagesë është rreth 7 milionë euro ndërsa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete është 5,715”, ka shkruar Peci në Facebook.

Gjithashtu, ministri ka sqaruar dhe detajet për pagesat.

“Duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për këtë sasi, në vlerë prej 0.03 €/kg, MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë të veçantë për të gjithë aplikuesit të kulturës se grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit, bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ Nr.02/2022”.

Foto: Ministri i Bujqesise, Faton Peci.

Dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit duhet të dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në Komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), të martën ka filluar procedimi i pagesave për përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022 për çdo kulturë bujqësore.

Më 3 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri Bujqësisë, Faton Peci, kishte vizituar fermerin Fazli Beqiraj në fshatit Sopi të Suharekës, ku filluan korrje-shirjet e grurit.

Sipas njoftimit për media të Zyrës së Kryeministrit, gjatë kësaj vizite ishte thënë se në saje të thjeshtëzimit të procedurës së aplikimit, janë rritur edhe sipërfaqet e  mbjella.

“U theksua se falë mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, bujqit në Kosovë janë më të përkrahurit, krahasuar me vendet e rajonit. Një hektar me grurë këtë vit  subvencionohet me rreth 474 euro, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150 euro për hektarë”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore