Kultura

Nis “Manifesta 14-të Prishtina” – Osmani kërkon t’i hiqen vizat Kosovës


Bienalja Nomade “Manifesta 14” Prishtina 2022 është hapur zyrtarisht këtë të premte në Prishtinë.

Për të marr pjesë në këtë bienale në Kosovë kanë ardhur artistë me renome botërore nga vende të ndryshme.

Para të pranishmëve ka folur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se askush nuk e meriton më shumë lirinë e lëvizjes më shumë se populli i Kosovës.

“Sonte siç jemi mbledhur këtu, e konsideroj si të drejtë të flas edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullsinë e Kosovës. Gra, burra dhe shoqëri, shikoni rreth jush’’, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se është një fakt i njohur gjerësisht se Kosova është shteti i të rinjve.

‘’Prandaj është kënaqësi që artistët tanë të rinj e kanë bërë Kosovën një referencë globale për këtë ngjarje të madhe kulturore. 14 vjet vjetori i Manifestës përkon me 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës”, theksoi ajo.

Gjatë ditës së enjte është mbajtur konferencë për media ku është shpalosur programi 100 ditor i edicionit të 14-të të Bienales Evropiane “Manifesta”, që do të mbahet në Prishtinë.

Megjithëse kjo është një ngjarje artistike ku do të marrin pjesë 103 artistë nga e gjithë bota, nuk kaloj pa u përmendur mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Drejtoresha e “Manifesta14 Prishtina”, Hedwig Fijen u shpreh se kufizimi i lëvizjes për Kosovën është i gabuar.

“Jemi krenar të prezantojmë 103 pjesëmarrës nga 30 vende përfshirë 25 kolektive, 40 pjesëmarrës nga Kosova dhe 26 të tjerë nga Ballkani Perëndimor që nënkupton dhe kjo është unike 65% e pjesëmarrëse të përgjithshëm janë nga rajoni”.

“Manifesta14 Prishtinë“ do të jetë e hapur nga 22 korriku deri më 30 tetor.

Gjatë kësaj kohe njerëzit do të mund të vizitojnë 25 hapësirat e Manifestës duke nisur nga Hamami i Madh e deri te Pallati i Rinisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore