Lajme

“Manifesta 14-të Prishtina” – shpaloset programi, 103 pjesëmarrës nga 30 vende


Gjatë ditës së enjte është mbajtur konferencë për media ku është shpalosur programi 100 ditor i edicionit të 14-të të Bienales Evropiane “Manifesta”, që do të mbahet në Prishtinë.

Megjithëse kjo është një ngjarje artistike ku do të marrin pjesë 103 artistë nga e gjithë bota, nuk kaloj pa u përmendur mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Drejtoresha e “Manifesta14 Prishtina”, Hedwig Fijen u shpreh se kufizimi i lëvizjes për Kosovën është i gabuar.

“Kjo mungesë e liberalizimit të vizave nënkupton se komuniteti kulturor dhe artistik i Kosovës përballet me kufizimet më bazike duke kufizuar kapacitet e tyre për të zhvilluar dhe vazhduar dialogun konstruktiv me pjesën tjetër të Evropës lëre më pjesën tjetër të botës”, tha ajo.

Hedwig Fijen

“Duhet të rrisim vetëdijesimin e ndërgjegjësimin për kufizimet e padrejta të kësaj pjese të Evropës. Kosova është duke iu dëshiruar mirëseardhje të gjithë juve vizitorëve, artistëve e krijuesve, profesionistëve nga e tërë Evropa, por fatkeqësisht Evropa së pari Qeveria ime nuk i mirëpret kosovarët për shkëmbimet e tyre të ngjashme kulturore, një prej parimeve bazike të ‘Manifestës’, liberalizimi i vizave është pritur në vitin 2018, por tani në vitin 2022 Kosova vazhdon të mbetet me regjim të kufizuar të vizave”, ka thënë mes tjerash Fijen

Tutje shtoi se ndihet krenare që për herë të parë kjo bienale po mbahet në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi krenar të prezantojmë 103 pjesëmarrës nga 30 vende përfshirë 25 kolektive, 40 pjesëmarrës nga Kosova dhe 26 të tjerë nga Ballkani Perëndimor që nënkupton dhe kjo është unike 65% e pjesëmarrëse të përgjithshëm janë nga rajoni”.

Edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i lumtur që Bienalja kësaj radhe po mbahet në kryeqytetin e Kosovës.

Perparim Rama

“Nuk jemi duke i çuar njerëzit tek arti, jemi duke e sjell artin te njerëzit përmes këtyre intervenimeve në hapësira të ndryshme publike dhe pastaj mundësi të tjera…Kemi disa intervenime guximtare që janë shumë të dukshme në qytet pra ato ofrojnë këtë optimizmin për njerëzit këtu për qytetarët e Prishtinës”.

Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tha se “Manifesta” është lobimi politik për të ecur pa u diskriminuar në rrugën integruese evropiane të Kosovës.

“Manifesta është edhe kërkesa jonë legjitime për trajtim të barabartë me popujt e tjerë në rajon dhe në Evropë, është dëshmia më e prekshme që Prishtina jonë me numrin 14 nuk është se dallon fortë nga Marsej juaj me numrin 13 e as nga Barcelona me numër 15. Prandaj, vizat e BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës ka kohë që kanë humbur nëse ndonjë herë kanë pasur kuptim”, ka thënë Çeku.

Në këtë konferencë për shtyp të pranishëm ishin edhe ndërmjetësuesit kreativ, Carlo Ratti dhe Ctherine Nichols.

Ndërkaq, “Manifesta14 Prishtinë“ do të jetë e hapur nga 22 korriku deri më 30 tetor.

Gjatë kësaj kohe njerëzit do të mund të vizitojnë 25 hapësirat e Manifestës duke nisur nga Hamami i Madh e deri te Pallati i Rinisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore