Lajme

Ngrihet aktakuzë kundër një serbi për Masakrën e Dubravës


Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të mërkure, ka ngritur aktakuzë kundër një serbi, i cili akuzohet se ka marrë pjesë në Masakrën e Dubravës.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit G.M. i nacionalitet serb, Shtetas i Kosovës dhe Serbisë, me adresë të vendbanimit në Serbi, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘Krimi i luftës kundër popullsisë civile’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje ‘LP-RSFJ’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga Prokuroria kanë bërë me dije se i pandehuri akuzohet se me 22 maj 1999, “ka marr pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë (109) të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë (108) të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si ‘Masakra e Dubravës’”.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, theksohet aty.

Në njoftimin e Prokurorisë nënvizohet se kjo çështje tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Bëhet me dije se i pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

“Hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar, në mungesë, pasi që të njëjtit janë të pa arritshëm për organet e rendit”, thuhet ndër të tjera aty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore