Shqipëria

Nga Shqipëria si garantuese e sigurisë rajonale, te dialogu Kosovë-Serbi, çfarë tha Blinken


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e përfundoi këtë pasdite të 15 shkurtit vizitën e tij të parë në Shqipëri.

Ai e përmbylli me një konferencë për mediat të përbashkët me kryeministrin e vendit, Edi Rama.

Në fjalën e tij Blinken përcolli disa mesazhe për Shqipërinë, rajonin, por edhe stabilitetin botëror, duke marrë parasysh situatën ku ndodhemi.

Me bindje të plotë, sekretari amerikan i Shtetit deklaroi se Shqipëria është një partner i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për të ky partneritet është madje më i fortë se çka qenë më parë.

Blinken në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e vendit, Edi Rama, u shpreh se marrëdhënia mes dy vendeve është kritike për disa çështje që prekin rrugën e dy popujve.

Më tej në fjalën e tij, Blinken njoftoi se ka folur me Ramën për çështje të sigurisë si Ukraina dhe për Këshillin e Sigurimit.

“Kemi folur edhe për shumë çështje dhe sfida me të cilat përballemi dhe jemi përqendruar në atë që jemi duke bërë për të nxitur përpara sigurinë”.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës, ka qenë vendi i parë që ka dërguar ndihma ushtarake, armë municione. Aktualisht është një nga 10 kontribuueset kryesore për të ardhura për frymë për Ukrainën”.

Nga konferenca – ashtu siç Albanian Post raportoi – zyrtari i lartë amerikan njoftoi se se muajin e ardhshëm do të inaugurohet baza e NATO-s në Kuçovë dhe “një miratim” për atë në port.

Kështu Blinken ravijëzoi se secili ka një angazhim të hekurt që të ndihmojë njëri-tjetrin.

“Jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar me detyrimet e saj. Ka mirëpritur me mijëra të evakuuar afganë dhe sot pata kënaqësinë të takoja disa prej tyre, ata do vijnë në SHBA për të vazhduar kapitullin e ardhshëm”.

Ai tha se pa jo vetëm mirënjohje, por edhe mënyra si janë mirëpritur nga populli shqiptar dhe është e vështirë ta përshkruash sa vlen kjo gjë për miqtë afganë.

“Ne jemi vërtet të frymëzuar nga mënyra si e keni bërë këtë”.

Blinken: Partneriteti ynë me Shqipërinë më i fortë se kurrë – në mars inaugurohet baza e Kuçovës

Edhe pse zyrtari i lartë amerikan nuk zgjodhi ta përmendë situatën në Kosovë – sa i takon dialogut me Serbinë – ai u pyet nga gazetarët mbi çështjen.

Prerazi Blinken tha se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është shtegu i vetëm i duhur për Kosovën dhe Serbinë.

Në fjalën e tij ai theksoi se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan më kthim pas për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Jemi me të vërtetë persona që mendojmë se nuk mund të kemi përsëritje. Jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet, por dua të përgëzoj rolin e Shqipërisë për stabilitetin rajonal”.

Sipas tij, ky është shtegu që i sjell të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Do të mbështesim të gjitha vendet, dhe punojmë me Shqipërinë që të bëjmë përpara në këtë shteg”.

Kryediplomati amerikan solli në vëmendje kohën kur nisi të punojë DASH  dhe Shtëpinë e Bardhë – 30 vite më parë – ku sfida që ishte nga fillimi deri në fund ishte Ballkani.

Për këtë arsye ai theksoi se SHBA-të janë të angazhuara që të mbështesim të gjitha përpjekjet e vendeve të Ballkanit drejt BE.

Çështja e Kosovës, Blinken: Njohim vetëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja, punojmë me Shqipërinë për stabilitetin

Në fjalën e sekretarit amerikan të Shtetit nuk kishte si të mungonte cekja e një produkti që shpesh është cilësuar amerikan, pra Reforma në Drejtësi.

Blinken pranoi se kjo e fundit nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë. Ama sipas tij, SHBA-të kanë nisur të shohin rezultate të vlefshme.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore. Ne do të vijojmë ta mbështesim Shqipërinë”.

Fjala e Blinken erdhi pas takimit me personalitete të institucioneve të drejtësisë, si kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe drejtues të tjerë.

“Kam takuar prokurorë e gjyqtarë dhe është e rëndësishme që anëtarë të grupeve kriminale po përballen me drejtësinë. Ne do vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në anëtarësimin në BE”.

Kështu diplomati amerikan solli në vëmendje se dy vendet kanë nënshkruar memorandume mirëkuptimi dhe se SHBA-të do të ndihmojnë për të mos pasur shtrembërime informacionesh.

Kjo pasi siç pranoi Blinken: ka një luftë informatike nga mëngjesi në mbrëmje, prandaj duhet një mënyrë efektive për ta shmangur këtë gjë.

Më tej, ai solli në vëmendje se janë trefishuar investimet amerikane në Shqipëri dhe ka potencial për të ndihmuar planetin tonë të përbashkët dhe ekonominë tonë.

“Sa i takon lidhjeve tregtare mes vendeve, ne sapo jemi kthyer nga disa takime me të rinj të programeve tonë të shkëmbimit që i bëjnë lidhjet tona akoma më të forta”.

“Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju! Kjo ka qenë e vërtetë tri dekada më parë, mbetet e njëjtë sot dhe njëjtë nesër”.

Blinken: Reforma në Drejtësi po jep rezultate, do vijojmë mbështetjen

Në konferencën e përbashkët me Ramën, Blinken është pyetur se pse nuk zhvilloi takime me përfaqësues të opozitës gjatë vizitës në Tiranë.

Ai u përgjigj se kishte pasur mjaftueshëm takime gjatë ditës së sotme duke përmendur takimin me të rinjtë, presidentin e vendit, Bajram Begaj, si dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

“Kur të kthehem nga darka, do takohem me një segment tjetër të shoqërisë shqiptare dhe të gjithë aktorët, por mendoj që kam marrë mjaftueshëm nga kjo ditë”.

Sekretari amerikan u pyet gjithashtu lidhur me situatën në Gaza dhe tentativat për arritjen e një marrëveshjeje për pengjet dhe jo vetëm.

Nga Tirana, Blinken tha se ka dhënë një propozim bashkërisht me Katarin e Egjiptit.

“Ia kemi dorëzuar në përgjigje të Hamasit një javë më parë. Ne besojmë që ka disa gjëra që ende nuk janë miratuar. Jemi në proces së bashku me partnerët tanë Katarit, Egjiptit e Izraelit duke punuar në mënyrë intensive me qëllim që mund të gjejmë një dakordësi”.

Ai ceku edhe hijen e publikimeve të informacioneve për kërcënim serioz nga Rusia.

“Kjo nuk është aftësi aktive, por është diçka potenciale që jemi duke e marrë shumë seriozisht. Shumë shpejt do të flasim. Qëndroni në gatishmëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore