Shqipëria

Nga dëbimi të dënimet me 35 vite burg, skenarët e mundshëm ndaj MEK-ut


Fabula e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK-ut të martën e 20 qershorit ka mbërritur në kapitullin e drejtësisë, e cila do të vërtetojë përmes hetimeve, nëse veprimet e muxhahedinëve kanë qenë shkaku i mundshëm i sulmeve të Republikës Islamike të Iranit ndaj Shqipërisë.

Deri më tani dihet se qëllimi i këtij operacioni ishte për të zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në atë që konsiderohej si qendër operacionale e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit Iranian për sulme të mundshme keqdashëse kibernetike.

Duke iu referuar dosjes hetimore, Albanian Post zbuloi se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për disa vepra penale ndaj muxhahedinëve.

Kjo, pas hetimeve që ka zhvilluar Njësia “C” nga Hetimi i Krimit Kompjuterik, si edhe Drejtoria e Antiterrorit.

Mes veprave penale të shkruara në dosjen e Prokurorisë e Posaçme janë: ‘Provokim i luftës’, ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në sistemet kompjuterike’, ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’ dhe ‘Grupi i strukturuar kriminal’.

“Me bashkimin e veprave penale të zbuluara nga dosja hetimore e muxhahedinëve, dënimi parashikohet deri në 35 vite burg për ata që i kanë bërë, sepse janë vepra të rënda (‘Grup i strukturuar’, ‘Provokim i luftës’)”, tregon fillimisht eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës Prof. Ass. Dr. Ervin Karamuço për AP-në.

Karamuço mendon se ekzistojnë gjithashtu dy skenarë të mundshëm që mund të detyrojnë Qeverinë shqiptare që t’i largojë muxhahedinët nga territori i Republikës së Shqipërisë.

“Dje muxhahedinët e MEK-ut kanë marrë paralajmërimin e parë për të vazhduar qëndrimin e tyre sipas të gjitha rregullave që janë parashikuar në marrëveshjen e vitit 2014”, tha profesori i kriminologjisë.

Sipas tij, nëse muxhahedinët do të vazhdojnë në një mënyrë apo në një tjetër “të radikalizohen ndaj Qeverisë shqiptare duke i thënë asaj se ju jeni bashkëpunëtorë të Iranit e duke bërë veprime të dhunshme brenda dhe jashtë kampit”, ata do të marrin ndoshta paralajmërimin e fundit për të detyruar Qeverinë që t’i largojë nga territori shqiptar.

“Kjo është e sigurt”, shtoi Karamuço, “është thjesht çështje kohe për të parë nëse do të reflektojnë këta njerëz ose jo”.

Ai vëren se skenari i dytë i dëbimit të mundshëm do të jetë nëse “sulmi i dyshuar” do jetë organizuar nga ana e gjithë bashkësisë.

“Ata veprojnë si bashkësi nuk janë elemente të pavarur, janë në mënyrë të centralizuar dhe hierarkike tamam si një brigadë ushtarake, atëherë do të dëbohen të gjithë nga Republika e Shqipërisë”, vijoi eksperti i sigurisë.

Një nga veprat penale për të cilat akuzohen muxhahedinët nga SPAK është edhe “Provokim i luftës”, që lidhet edhe me rrezikun e mundshëm që i kanoset Shqipërisë nga Republika Islamike e Iranit.

“Ky ka qenë preludi dhe kryefjala e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, organizuar nga presidenti përpara nëntë ditësh ‘çfarë do të bëjmë me kampin e Manzës për të parandaluar ngjarje të tjera të sulmeve ndaj Iranit’, sepse me Iranin ne kemi një problem shumë të madh që na cenon sigurinë kombëtare”, argumenton Karamuço.

Eksperti thekson se ky investigim i nisur nga drejtësia “duhet të jetë i gjithanshëm” në këto momente.

Kjo, pasi janë zbuluar disa rregullime të brendshme që asnjëherë nuk janë mbikëqyrur nga autoritetet shqiptare.

“Kampi ka disa kamera që nuk i ka as Policia e Shtetit, ka një sistem teknologjik të mbikëqyrjes të jashtëzakonshëm, ka vetëm një mbrojtje të perimetrit të jashtëm me polici private shqiptare ndërkohë që brenda ata nuk kanë as polici, as roje të tjera. Ruhen vetë, vetë-administrohen, dënojnë njëri-tjetrin kanë gjyqe brenda grupime gjyqesh, kanë dhoma sigurie brenda që nuk është thënë asnjëherë”, u shpreh për Albanian Post, Ervin Karamuço.

Edhe mbas përplasjeve mes Policisë dhe muxhahedinëve, qeveria u garanton atyre në vijim energjinë elektrike, ujin dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet, shtoi eksperti duke kujtuar shembujt e ujgurëve dhe afganëve në vendin tonë.

“Sa i takon trajtimit nga ana e autoriteteve tona, ata duhet të mbaheshin në një profil të ulët më shumë të ndihmës humanitare. Ne e kemi bërë këtë me ujgurët, me afganët ata s’kanë krijuar asnjëherë problem. I kemi mbajtur, i kemi ushqyer edhe mbas atij kundërshtimi të djeshëm, fizik, të dhunshëm Qeveria atyre u garanton në vijim energjinë elektrike, ujin dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet”, tha Karamuço.

Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës mendon se nëse vërtetohet vepra penale e regjistruar nga SPAK, “ne do të arrijmë të plotësojmë të gjithë fabulën se për çfarë është bërë gjithë kjo histori dhe gurgule të martën”.

Policia zbarkoi në Manëz, çfarë ndodhi në kampin e MEK-ut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore