Shqipëria

Policia zbarkoi në Manëz, çfarë ndodhi në kampin e MEK-ut


Strukturat speciale të Policisë së Shtetit (RENEA, Antiterrori, Operacionalja, Shqiponja) zbarkuan rreth orës 08:00 të 20 qershorit në Manëz, në vendqëndrimin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit Iranian (MEK).

Qëllimi i këtij operacioni ishte për të zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në atë që konsiderohej si qendër operacionale e MEK-ut për sulme të mundshme keqdashëse kibernetike.

Hyrja e efektivëve të Policisë u bë me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi SPAK-u kishte arsye dhe dyshime të forta për aktivitetin e MEK-ut.

Angazhimi policor është kundërshtuar nga anëtarët e MEK-ut, duke u përpjekur për të bllokuar automjetet dhe lëvizjen e Policisë nëpër rezidenca, duke iu referuar imazheve të publikuara nga autoritetet.

Operacioni u përmbyll me një të vdekur, që dyshohet se ndërroi jetë nga infarkti dhe për të cilin pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet zyrtare.

Sipas shifrave të publikuara nga Policia, u dëmtuan 15 efektivë dhe 21 anëtarë të MEK-ut, 15 prej të cilëve lanë spitalin disa orë pas shtrimit të tyre.

Nga 127 godina në Manëz, autoritetet kontrolluan 70 prej tyre duke e përmbyllur me sekuestrimin e 96 njësive kompjuterike, 46 laptop dhe karta të ndryshme memorieje.

Pas përfundimit të operacionit policor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-s.

Prokuroria nis hetimet ndaj anëtarëve të MEK-ut për pengimin e veprimeve të Policisë

Deklaratat

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi u shfaq i keqardhur dhe i indinjuar me reagimin e organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit.

“Ndjehem i keqardhur dhe i indinjuar me reagimin e organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit. Shqipëria u ka ofruar gjithçka atyre për strehim humanitar, u ka ofruar siguri dhe mbrojtje edhe ndaj kërcënimeve të regjimit të Iranit”, tha fillimisht Çuçi.

Për të, ishte e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit.

“Duhet të biem të gjithë dakord që është jo vetëm shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri, brenda ligjeve shqiptare, por është edhe një lloj thyerje e kodit të mikpritjes që ne u kemi ofruar. MEK ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’u strehuar në vendin tonë vetëm për qëllime humanitare”, shtoi ministri i Brendshëm.

Zyrtari shqiptar kujtoi se muxhahedinëve u ndalohet të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik apo protesta të çfarëdo lloji.

“Aktiviteti i tyre ka tërhequr vëmendjen e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme ka pasur arsye të forta dhe i është drejtuar GJKKO-s për të bërë kontroll në Manëz dhe për të bërë sekuestrimin e pajisjeve elektronike që mund të kërkoheshin sipas vendimit të gjykatës”, ravijëzoi ai.

Çuçi: MEK-u shkeli marrëveshjen me Qeverinë, Policia zbatoi vendimin e gjykatës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku zbuloi të gjitha detajet zyrtare të operacionit në kampin e MEK-ut në Manëz.

“Në orën 08:00 së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë thirrëm në takim dhe na janë përgjigjur në takim të 6 drejtuesit kryesorë të kampit MEK. Për një orë u kemi treguar kontrollin dhe qëllimin që motivohej në vendimin e gjykatës. Gjetëm mirëkuptimin tyre për momentet e para. Pas takimit zyrtar u adresuam në hyrje të kampit dhe kërkuam hapjen e portave”, vijoi ai.

Me hyrjen në ambientet e territorit, ka nisur faza e kontrollit, shtoi Rrumbullaku.

“Për dy orë, për shkak të numrit të madh të objekteve, pasi nga ana jonë u konstatuan paligjshmëri, sa i takon evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike gati në 17 objekte nisi një rezistencë e organizuar e të gjithë rezidencës së kampit MEK duke u përballur me policinë dhe mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, theksoi drejtuesi më i lartë i Policisë.

Ai garantoi se pas këtij momenti nga ana e forcave të policisë është kaluar në “vetëpërmbajtje ekstreme”.

Reagimet

Avokati i muxhahedinëve, Genc Gjokutaj, në një deklaratë për mediat e konsideroi operacionin si bastisje dhe bëri me dije se do të ndërmerren hapa ligjorë për humbjen e jetës së një prej banorëve.

“Flitet për një kontroll në kamp, flitet për një procedim penal të nisur nga SPAK. Ka ardhur në kamp dhe ka filluar debati dhe konflikti. Është përdorur gaz lotsjellës. Muxhahedinët kanë kërkuar mbrojtje. Policia ne nuk na ka lejuar të futemi në kamp. Është një i vdekur si pasojë e goditjeve dhe gazlotsjellës. Kundrejt policisë nuk ka pasur dhunë”.

Një reagim lidhur me ngjarjen ka pasur edhe nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

“Me kërkesë të fashizmit fetar që sundonte Iranin, sot në mëngjes, më 20 qershor, rreth 1 mijë policë shqiptarë sulmuan Ashrafin në një akt kriminal dhe shtypës. Shumë thyen dyert, dollapët, sendet dhe sulmuan banorët me gaz lotsjellës dhe spraj. Shumë kompjuterë janë thyer. Pas këtij sulmi kriminal, Ali Mousashari u martirizua dhe më shumë se 100 vetë u plagosën nga gazi djegës, disa prej të cilëve janë dërguar në spitalin Nënë Tereza në Tiranë”.

Rezistenca iraniane i bëri thirrje “qeverisë amerikane dhe Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë garantuar në mënyrë të përsëritur sigurinë banorëve të Ashrafit, që të dënojnë këtë sjellje kriminale dhe barbare”.

Muxhahedinët e shpërndarë në Evropë protestuan para ambasadave shqiptare në Evropë, bënë me dije burimet e brendshme të Albanian Post.

Konkretisht u protestua përpara ambasadës në Vjenë, Paris, Stokholm, në Konsullatën në Essen (Gjermani) dhe në Amsterdam.

Më në detaje

Identiteti i të vdekurit pas operacionit policor në Manëz është Ali Mostashari (emri i betejës, dhe jo ai real).

Burimet të Albanian Post (brenda MEK) bënë me dije se Mostashari ishte një nga komandantët ushtarakë të muxhahedinëve në Teheran në vitet ’80 para se të shkonte në Irak.

Mostashari ishte përgjegjës për burgosjen e disidentëve të brendshëm në Kampin Ashraf 1, sipas një burimi tjetër për Albanian Post, nga ish anëtarë të MEK.

I vdekuri në kampin e MEK-ut, komandant ushtarak dhe përgjegjës për burgosjen e disidentëve

Muxhahedinët iranianë, të quajtur ndryshe “opozita iraniane” ndodhen prej kohësh në emigrim.

MEK-u është krijuar në Iran në vitin 1965 nga një grup studentësh radikalë që ndërthurën marksizmin dhe islamin.

Themeluesit janë tre studentë: Mohammad Hanifnejad, Said Mohsen dhe Ali Asghar Badizadegan.

Massoud Rajavi u bë udhëheqësi i lëvizjes vite më vonë dhe do të mbetet i tillë deri në 2003, vit kur humb çdo gjurmë e tija, duke lënë pas misterin.

Anëtarët e MEK-ut ishin ndër të parët që zhvilluan luftën e armatosur kundër Shah-ut dhe amerikanëve të shumtë të pranishëm në atë kohë në vend.

Ata mbështetën gjerësisht sulmin ndaj ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979 dhe kundërshtuan me vendosmëri vendimin për lirimin e pengjeve në vitin 1981.

Ndërmjet viteve 1980 dhe 1981, menjëherë pas revolucionit, ata tërhoqën mbështetje të konsiderueshme publike dhe u shfaqën si opozitë ndaj regjimit të ri teokratik.

Në 1981 Irani përjetoi një sezon politik të terrorit të vërtetë, shënuar si nga spastrimet e regjimit të porsalindur, ashtu edhe nga sulmet dhe atentatet e shënjestruara ndaj Iranit nga muxhahedinët.

Po atë vit, një sulm i MEK-ut fshin liderët e Republikës Islamike: u vranë 70 oficerë, duke përfshirë presidentin e atëhershëm iranian Mohammad-Ali Rajai dhe kryeministrin Mohammad-Javad Bahonar.

Çfarë përfaqësojnë muxhahedinët iranianë?

Në vitin 1986, Franca e Presidentit Mitterrand dëbon Rajavin dhe MEK-un, të cilët më pas strehohen në Irakun e Sadam Huseinit.

Nga atje, muxhahedinët do të merrnin pjesë në luftë Iran-Irak (1981-1988) në anën e Sadamit Huseinit. Kjo do të jetë një nga arsyet më të forta të humbjes së simpatisë nga ana e popullsisë iraniane për grupin.

Ata ndihmuan regjimin irakian të identifikojë objektivat iraniane për të goditur dhe gjithashtu duke organizuar sulme reale përtej kufirit.

MEK-u mbeti në Irak si mysafirë të Sadamit, i cili u jepte para, armë dhe mjete ushtarake deri në vitin 2003.

Vit ky që përkon me rënien e regjimit.

Pas vendimit të SHBA-ve në vitin 2003 për ndërhyrjen ushtarake në Irak, siguria e tyre u vendos në pikëpyetje.

Në vitin 2013 me një ndërmjetësim të amerikanëve dhe OKB-së u vendos që ata të zhvendoseshin në një vend tjetër, që ishte Shqipëria.

Si u mor vendimi për t’i sjellë në Shqipëri anëtarët e MEK-ut?

Historia nis me qeverisjen e Sali Berishës si kryeministër.

Ai, në vitin e fundit të mandatit të tij ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillary Clinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë.

Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.

Vendimi i Berishës u pasua edhe nga ai i kryeministrit të radhës Edi Rama.

Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë.

Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf 3” në zonën e Manzës, në periferi të Tiranës.

Rama asokohe e konsideroi vendimin si humanitar dhe jo politik.

Autoritetet amerikane shprehën mirënjohjen për vendimin e tij.

Sipas një artikulli të “New York Times”, Qeveria shqiptare shpresonte se mikpritja e tyre do të ishte në favor të Washington-it.

Kjo u pohua edhe nga ministri i Jashtëm i viteve 2013-1019, Ditmir Bushati.

Zgjedhja e Manzës si vendi për ndërtimin e kampit u bë pasi Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit e pa si lokacionin më të përshtatshëm.

MEK-u pas marrjes së lejes vendosi të blejë tokën që ndodhet rreth 30 kilometra larg Tiranës dhe të ndërtojë aty qytezën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore