Kosova

Kryeziu tenton t’ia “ilustrojë” Stanos “de-përshkallëzimin” në veri: Prandaj, masat duhet të hiqen


Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në përpjekje për t’ia dëshmuar Bashkimit Evropian (BE) de-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe, publikoi dy fotografi në platformën “X” të enjten, duke kërkuar që mbi këtë premisë t’i largohen Kosovës masat negative që BE-ja i vendosi në qershor të vitit të kaluar.

“Çështja është e thjeshtë. BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës sepse na fajësoi padrejtësisht për përshkallëzimin që shkaktoi foton 1. Fotografia 2 paraqet kryetarin e Zveçanit [Ilir Peci] duke dalë nga i njëjti objekt pa u penguar. De-përshkallëzimi ka ndodhur. Prandaj, masat duhet të hiqen”, shkroi zëdhënësi i ekzekutivit kosovar si kundërpërgjigje ndaj qëndimit të BE-së.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, deklaroi të enjten se për largimin e masave vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës, duke shtuar se vendimi për heqjen e mundshme të masave kufizuese ndaj Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë në gjithë BE-në, ndonëse u vendosën në mënyrë të njëanshme nga shefi i diplomacisë evropiane.

“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin nëse do të hiqen masat dhe kur – a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”.

Zyrtarët e BE-së vazhdimisht nënvizojnë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të tërhiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore