Shqipëria

Prokuroria nis hetimet ndaj anëtarëve të MEK-ut për pengimin e veprimeve të Policisë


Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Zyrtari i lartë i Policisë deklaroi se gjatë operacionit në kampin e MEK-ut në Manëz, autoritetet kanë sekuestruar 96 njësi kompjuterike.

Këto të fundit, sipas drejtuesit të Policisë, po tentoheshin të digjeshin nga ana e drejtuesve të organizatës së muxhahedinëve.

“Janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 46 laptop, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK-ut. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK-ut më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Vendimi i GJKKO-s vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”, theksoi Rrumbullaku.

Rrumbullaku: Sekuestruam 96 njësi kompjuterike të cilat po tentoheshin të digjeshin

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi u shfaq i keqardhur dhe i indinjuar me reagimin e organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit, duke deklaruar se shkelën marrëveshjen me Qeverinë shqiptare.

“Ndjehem i keqardhur dhe i indinjuar me reagimin e organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit. Shqipëria u ka ofruar gjithçka atyre për strehim humanitar, u ka ofruar siguri dhe mbrojtje edhe ndaj kërcënimeve të regjimit të Iranit”, tha fillimisht Çuçi.

Sipas tij, ishte e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit.

“Duhet të biem të gjithë dakord që është jo vetëm shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri, brenda ligjeve shqiptare, por është edhe një lloj thyerje e kodit të mikpritjes që ne u kemi ofruar. MEK ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’u strehuar në vendin tonë vetëm për qëllime humanitare”, shtoi ministri i Brendshëm.

Çuçi: MEK-u shkeli marrëveshjen me Qeverinë, Policia zbatoi vendimin e gjykatës

Ndërtimi i situatës

Qindra efektivë Policie, forca speciale RENEA dhe njësia e Antiterrorit kanë kryer të martën e 20 qershorit kontrolle të imtësishme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Arsyeja ishte ushtrimi i një vendimi të GJKKO-s pas kërkesës së SPAK-ut për kontroll dhe sekuestrimin e dhjetëra njësive kompjuterike.

Nga 127 godina në Manëz, autoritetet kanë kontrolluar 70 prej tyre.

Në takimin me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, 30 minuta para operacionit, drejtues të kampit kanë rënë dakord pasi janë njohur me urdhrat e kontrollit.

Përplasja ka nisur pas mbërritjes së grupeve të policisë, pasi kanë qenë 16 të tilla, të përcaktuar për ndërhyrje të menjëhershme.

Muxhahedinët nuk kanë pranuar që të lëshonin kompjuterët e kampit, me pretendimin se duhet të ishin njoftuar.

Policia ka vijuar operacionin e saj, duke lëshuar gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Në këtë moment, një person nga iranianët ka pësuar infarkt duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Bëhet fjalë për Ali Mostashari-n, i cili ishte një nga komandantët ushtarakë të muxhahedinëve në Teheran në vitet ’80 para se të shkonte në Irak.

Për këtë muxhahedinët kanë fajësuar Policinë, e cila thotë se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin.

Ndërkaq nga përplasja ka pasur edhe të plagosur: 15 efektivë të dëmtuar dhe 21 anëtarë të MEK-ut të dëmtuar (15 prej të cilëve kanë lënë ambientet e spitalit).

Vlen të theksohet se për herë të parë muxhahedinët kanë lejuar edhe gazetarët që të futen brenda ambienteve për disa minuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore