Kosova

“Nga 45 seanca të mbajtura, 23 prej tyre kanë dështuar për mungesë të kuorumit”


Agnesa Haxhiu

Për Institutin Demokratik të Kosovës, mungesa e kuorumit në punimet plenare në gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës kanë qenë shumë të shpeshta, kryesisht për ligjet bazike që kërkojnë shumicë të thjesht të votave, pavarësisht që kjo legjislaturë ka një shumicë të konsoliduar në numra.

Sipas hulumtueses së lartë në KDI, Agensa Haxhiu, që nga fillim i sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 45 seanca, ku nga 23 prej tyre kanë dështuar në mungesë të kuorumit.

“Në 15 nga këto 23 seanca të dështuara në mungesë të kuorumit, në rend dite ka qenë shqyrtimi i projektligjeve, gjë që ka ndikuar në zvarritjen e shqyrtimit të tyre”, ka shpjeguar Haxhiu, e cila është bazuar në të dhënat e nxjerra nga monitorimi i punës së Kuvendit.

Karakteristikë e kësaj periudhe të punës së Kuvendit, sipas hulumtueses Haxhiu, është mungesa e theksuar e pjesëmarrjes së rregullt në punimet plenare nga ana e deputetëve.

“Deri në fund të muajit qershor, deputetët kanë munguar plot 699 herë. Nëse kalkulohet mesatarja e mungesave të deputetëve për secilën seancë, i bie që mesatarisht kanë munguar deri në 16 deputetë. Po të analizohen të dhënat për pjesëmarrje te seancat që kanë dështuar për mungesë të kuorumit, del që në secilën prej atyre seancave, të nënshkruar kanë qenë mbi 90 deputetë”, ka shtuar ajo.

Njëri nga faktorët që ka shkaktuar mungesën e kuorumit në punimet plenare, janë udhëtimet jahte vendit të deputetëve, tregon Haxhiu, të cilat sipas saj ndonëse bëhen në funksion të zhvillimit të diplomacisë parlamentare, në shumicën e rasteve përfundojnë pa agjendë të qartë dhe me mungesë informatash se çfarë kanë prodhuar ato udhëtime.

“Sa i përket agjendës legjislative, numri i projektligjeve në procedurë në Kuvend për këto gjashtë muajt e parë të këtij viti janë 108, prej të cilave deri tani janë miratuar 43 apo shprehur në përqindje 39% e atyre qe janë në procedurë. Agjenda legjislative e Qeverisë së Kosovës për këtë vit përmban gjithsej 150 projektligjeve prej të cilave deri tani, në Kuvend janë dorëzuar vetëm 23 projektligje”.

“Mirëpo, numri i madh i projektligjeve që i ka Kuvendi aktualisht në procedurë, vjen për shkak të dinamikës shumë të ultë të punës në sesionin e kaluar. Janë 80 projektligje që nuk kishin arritur që të miratohen të cilat janë bartur nga viti 2021 për këtë vit duke e stërngarkuar kështu agjendën e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore