Lajme

Netanyahu do të mandatohet për të formuar qeverinë e re izraelite


Presidenti izraelit Isaac Herzog ka thënë se do t’i japë ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu mandatin për të formuar një qeveri të re izraelite të dielën.

Herzog e bëri njoftimin të premten, pas konsultimeve me përfaqësuesit e të gjitha partive që hyjnë në parlamentin e 25-të të Izraelit (Knesset). Një deklaratë nga zyra e presidentit tha se 64 anëtarë të parlamentit 120-vendësh të Izraelit rekomanduan që Netanyahu të mblidhte koalicionin e ri.

Koalicioni i krahut të djathtë të Netanyahut doli i pari në zgjedhjet e javës së kaluar. Nëse ai mund të formojë një qeveri me aleatët e tij të koalicionit, siç pritet, kjo mund t’i japë fund një krize të paprecedentë politike izraelite që ka çuar në pesë zgjedhje që nga viti 2019.

Katër zgjedhjet e mëparshme kishin qenë kryesisht referendume mbi aftësinë e Netanyahut për të shërbyer ndërsa përballej me akuzat për pranim ryshfeti, mashtrim dhe shkelje të besimit. Netanyahu ka mohuar çdo keqbërje.

Kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, ai do të ketë 28 ditë nga e diela për të formuar atë që pritet të jetë qeveria më e djathtë izraelite në histori.

Ai ka të ngjarë të bëjë aleancë me figura kontroverse të së djathtës ekstreme dhe parti fetare për të arritur një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Partneri i tij i koalicionit, aleanca e Sionizmit Fetar, fitoi 14 vende.

Udhëheqësit e partisë tani do të përpiqen ta përkthejnë atë paraqitje të fortë në poste të larta qeveritare për anëtarët e saj, duke përfshirë pozicionet përgjegjëse për sigurinë.

Itamar Ben-Gvir

Kjo është përkundër natyrës së ekstremit të djathtë të udhëheqjes së partisë – një figurë, Itamar Ben-Gvir, ka bërë thirrje që palestinezët “jo besnikë” ndaj Izraelit të dëbohen dhe është një ish-anëtar i partisë së ndaluar Kach, e cila konsiderohet “terroriste”.

Të mërkurën, Herzog u kap duke thënë se “e gjithë bota është e shqetësuar” për pozicionet e ekstremit të djathtë të ligjvënësit të sapozgjedhur Ben-Gvir, një ultranacionalist që do të bëhet ministër në kabinetin e ri të Netanyahut.

Presidenti po zhvillonte një konsultim me partitë e tjera për zgjedhjet kur komenti i tij për Ben-Gvir u kap nga një mikrofon që ai me sa duket mendoi se ishte i fikur.

“Ju keni një partner për të cilin e gjithë bota rreth nesh është e shqetësuar. Këtë ia kam thënë edhe atij”, u dëgjua të thoshte Herzog në fund të një takimi të mërkurën.

“Do të keni një problem me Malin e Tempullit. Kjo është një çështje kritike”, tha Herzog, duke iu referuar kompleksit të Xhamisë Al-Aksa, në të cilën izraelitët, përfshirë grupet e kolonëve, kanë hyrë vazhdimisht gjatë viteve të fundit nën mbrojtje nga forcat izraelite duke shkelur normat e dakorduara prej kohësh mbi aksesin.

Duke takuar Ben-Gvir të enjten, Herzog përsëriti shqetësimet e tij, sipas mediave izraelite.

“Unë thashë se partia juaj ka një imazh të caktuar që ngre shqetësime në shumë vende, në lidhje me trajtimin e arabëve në shtetin dhe rajonin tonë”, i tha Herzog Ben-Gvir.

“Udhëheqësit botërorë po më pyesin mua”.

“Në botën myslimane më pyesin për Malin e Tempullit. Kjo temë është e ndjeshme”, shtoi ai.

Nëse Netanyahu kërkon një shtyrje, ai ka të drejtë për 14 ditë shtesë për të formuar qeverinë. Nëse ai dështon, një tjetër kryetar partie do të zgjidhet për këtë detyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore