Lajme

Nëse mbahen zgjedhjet në Veri, “99% e serbëve do t’i bojkotojnë”


Foto: Albanian Post.

Zgjedhjet në katër komunat Veriore të Kosovës sipas afatit duhet të zhvillohen me 23 prill – pas vetëm nëntë ditësh – por akoma askush nuk e di se ku do të mbahen e situata e sigurisë vazhdon të jetë e paqëndrueshme, prandaj njohjes të rrethanave në Veri si analisti nga Mitrovica e Veriut, Branislav Krstiç, e politikologu nga ajo e Jugut, Nexhmedin Spahiu, thonë për Albanian Post se zgjidhja më e mirë do të ishte shtyrja e tyre për një moment tjetër.

Edhe Krstiç edhe Spahiu – të vetëdijshëm se Lista Serbe që ka pushtetin real atje nuk po merr pjesë në zgjedhje dhe në anën tjetër ka probleme me organizimin e tyre nga Komisioni Qendror Zgjedhor – pohojnë se presidentja Vjosa Osmani e kryeministri, Albin Kurti, do të duhej t’i shtynin sërish zgjedhjet, njëjtë siç bënë edhe dhjetorin e kaluar.

“Kabineti i kryeministrit Kurti dhe kabineti i presidentes Osmani duhet të dëgjojnë zërat nga institucionet demokratike nga Prishtinë. Kjo për arsyeje se nuk ekzistojnë kushtet për zgjedhjet në Veri”, thotë Krstiç për Albanian Post.

“Zgjedhjet janë edhe një lloj feste, të shkosh me familje që të votosh për diçka më të mirë për ardhmërinë e fëmijës, që do të thotë ne nuk kemi ato kushte dhe kam përshtypjen që Kosova duhet ta kuptojë që demokracia në Veri nuk mund të mbërrij me zor”.

Si ai edhe Spahiu, pohon se ngjarjet e fundit kanë treguar se këto zgjedhje nuk duhet të mbahen në këtë periudhë.

Sinjalet, rrethanat dhe niveli i rrezikut paralajmërojnë se krerët e shtetit duhet të marrin vendim tjetër në vend të mbajtjes së zgjedhjeve, thonë ata.

“Në vazhdën e asaj çfarë po ndodh në bisedime mes Prishtinës dhe në Beograd, për mendimin tim më e arsyeshme do të ishte që presidentja e Kosovës, të shtyjë këto zgjedhje për një afat të pacaktuar derisa të krijohen kushtet dhe rrethanat”, deklaron Spahiu për AP.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërsa nga këndvështrimi i Krstiç, edhe në rast se këto zgjedhje do të mbahen, sërish një situatë e ngjashme do e pres veriun pas disa muajve.

“Pse bëjmë zgjedhjet në prill, nëqoftëse me siguri na presin zgjedhje të reja në korrik ose në shtator zgjedhje të reja. Kam përshtypjen që akoma jemi foshnje të cilat nuk mund të funksionojnë pa ndihmën ndërkombëtare, pa administratën amerikane dhe Brukselin zyrtar”.

Arsyet pse zgjedhjet në Veri duhet të shtyhen – “situata shumë negative, me shumë tensione”

I pranishëm në bazë ditore, në rrugë, kafiteri, i rrethuar me njerëz dhe si banor i Veriut të Kosovës për shumë vjet, Krstiç tregon edhe disa nga arsyet pse zgjedhjet duhet të shtyhen.

“Jam i sigurt që serbët 99 për qind bojkotojnë këto zgjedhje. Në Mitrovicën Veriore, nuk kemi asnjë subjekt politik nga ana e komunitet serb, të njëjtën situatë e kemi në Zubin Potok, në Zveçan e kemi një person i cili është kandidat i pavarur pa asnjë kredibiltet”.

“Me këto zgjedhje nuk fitojmë asgjë, as si shtet, as si komunitet serb në Veri”, deklaron ai.

Kurse, profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, e vlerëson të vështirë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, pa pjesëmarrjen e partisë kryesore, paçka se Lista Serbe e dominon skenën politike serbe në Kosovë me mjete aspak demokratike.

“Shoqëria nuk është e tillë që kur një parti njerëzit e votojnë në mënyrë të lirë 90 për qind të votave. Nëse e votojnë 90 për qind aty diçka nuk është në rregull, aty ka një përdorim të dhunës apo mjeteve të tjera jo të ndershme dhe kjo është ajo që ka ndodhur në Veri të Kosovës, ku Lista Serbe ka fituar në mënyrë të tillë”, thotë Spahiu për Albanian Post.

Foto: Ilustrim.

Spahiu, e sheh edhe një problem tjetër për banorët në këtë pjesë prejse u bojkotuan kolektivisht institucionet nga serbët, të diktuar nga Lista Serbe.

“Është një kohë e gjatë që po shkelen të drejtat e njeriut, të drejtat themelore në Veri të Kosovës, për shkakun që njerëzit nuk kanë mundësinë që të nxjerrin një letërnjoftim, një certifikatë lindje, martese, pronësie, kanë problem ku duhet të ndërhyje inspeksioni komunal”.

Të gjitha këto janë disa nga çështje që do të duheshin të zgjidheshin nga një administrator i përkohshëm në këto komuna.

“Në rast se Qeveria e Kosovës emëron administrator kjo do të jetë krejt në rregull, por nëse vazhdon kështu do të vazhdohen të shkelen të drejtat e njeriut. Për të rregulluar këtë nuk duhet më shumë se gjysmë dite punë. Thjeshtë, parlamenti amendamentin ligjor për administratë lokale dhe kryeministri emëron administratorët”.

Ndërsa Krstiç, përmend edhe incidentin e fundit ku policia e Kosovës plagosi një qytetar serb. Ai thotë se është sinjal shtesë që tregon se zgjedhjet nuk duhet mbajtur.

“Pas incidentit me pjesëtarin e Policisë së Kosovës dhe pas atyre deklaratave nga ana e Policisë, më duket që situata është shumë negative, me shumë tensione. Unë shpresoj që mesazhi zyrtar nga Serbia të dëgjohet i cili insiston që serbët të jenë tolerantë”.

“Por kemi edhe disa qytetarë ekstremë radikalë dhe e kam këtë shqetësimin që ekziston edhe mundësia që ka disa prej tyre që mund të provokojnë”.

Megjithatë, ai nuk e mohon që shteti i Serbisë ka përqëllim destabilizimin e Kosovës, “prandaj mbajtja e zgjedhjeve sjell vetëm pasoja”.

EULEX: Situata e sigurisë në katër komunat veriore mbetet e brishtë

Ndërsa Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, pyetur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka njoftuar se “situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë, pasi vakumi i sigurisë dhe sundimit të ligjit të krijuar pas dorëheqjes së policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës po vazhdon”.

“EULEX-i në Kosovë është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në veri të Kosovës, edhe në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për katër kryetarët e komunave dhe dy kuvendet komunale në veri të Kosovës. Në këtë drejtim, ne jemi duke shqyrtuar skenarë të ndryshëm të mundshëm dhe do të përshtatim praninë dhe aktivitetet tona në përputhje me rrethanat, në koordinim më të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in“, thuhet në përgjigjet e EULEX-it për AP.

Ilustrim.

Sa i përket incidenteve të shkaktuara së fundmi në Veri, nga EULEX kanë potencuar se janë duke i monitoruar 55 raste.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë në masën maksimale të mundshme në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj. Aktualisht, Misioni është duke monitoruar 55 raste që kanë të bëjnë me incidentet në veri të Kosovës“.

OSBE-ja s’do jetë e përfshirë në zgjedhjet e 23 prillit në Veri: Gjithsesi, situatën po e monitorojmë

Misioni i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), ka bërë të ditur se nuk është i përfshirë në përgatitjen apo zhvillimin e Zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri të cilët pritet të mbahen më 23 prill.

“Që nga viti 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar zgjedhjet pa asnjë ndihmë të drejtpërdrejtë nga OSBE-ja”, ka thënë për Albanian Post zëdhënësja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Therese Abrahamsen.

Opozita.

Megjithatë OSBE-ja, sipas saj, po monitoron nga afër situatën e përgjithshme në terren.

“Misioni ka një partneritet të gjatë dhe të shkëlqyer me KQZ-në, duke përfshirë bashkëpunimin e gjerë teknik, dhe vazhdon të mbështesë autoritetet përkatëse në procesin e reformës zgjedhore në vazhdim”.

Opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, Konjufca thotë se shtyrja e dytë do të ishte e paarsyeshme

Teksa nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është kërkuar shtyrja e mbajtjes së zgjedhjeve në Veri, për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shtyrja e zgjedhjeve në Veri për herë të dytë do të ishte e “paarsyeshme”.

Megjithatë Konjufca konfirmoi se ka tendencë të qartë që të destabilizohet Veriu i Kosovës, para zgjedhjeve të 23 prillit.

“Mendoj që shtyrja e dytë do të ishte e paarsyeshme. Së pari çfarë duhet të bëjmë është që të sigurohemi se secili institucion po e kryen detyrën e vet sipas obligimeve kushtetuese. E pastaj kur i marrim rezultatet zgjedhore, atëherë do të shihet dhe do të hyjmë në një etapë tjetër. Por këtë etapë nuk mund ta paragjykojmë para 23 prillit”, deklaroi Konjufca.

Glauk Konjufca.

Teksa ka deklaruar se ajo çfarë është e nevojshme aktualisht është qetësia nga të dyja palët, por veçanërisht nga Serbia.

Kurse nga ana e kreut të AAK-së Kosova, më mirë të pranojë një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër, sesa një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e shpallura herën e kaluar nuk arritëm t’i mbajmë dhe po ashtu procesi për t’i mbajtur zgjedhjet tash në Veri nuk është i qëndrueshëm. E pse jemi në këtë gjendje? E dimë fare mirë agjendën e Serbisë edhe të Listës Serbe dhe i dimë kushtëzimet, por a e dimë ne dhe Qeveria në Kosovë rrugën deri te suksesi”, ka pyetur Haradinaj gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Procesi i tashëm i zgjedhjeve, sipas Haradinajt, nuk e dërgon vendin te suksesi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka miratuar zyrtarisht listën e qendrave të votimit në të cilat pritet të votohet pas dhjetë ditësh në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviq-it, por Albanian Post mëson nga burime të afërta me procesin zgjedhor se kjo pritet të ndodhë të premten.

Çfarë ndodhi?

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore