Lajme

Në Paris nis shqyrtimi i raportit për anëtarësimin e Kosovës në KiE


Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) njoftoi para pak çastesh në llogarinë “X” se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci që u mblodh të mërkurën në Paris të Francës ka nisur shqyrtimin e raportit për anëtarësimin e Kosovës, ndërsa bëhet e ditur se rezultati do të bëhet i ditur në uebfaqen zyrtare të Këshillit të Evropës (KiE) më vonë gjatë ditës.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci pritet ta miratojë një draft-opinion mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme evropiane pas prezantimit të raportit faktmbledhës të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, ndërsa i pranishëm është edhe delegacioni kosovar në përbërje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, pas miratimit të raportit, do të duhen 2/3 e votave në APKE, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit të autoriteteve kosovare, pritet të ndodhë gjatë samitit që pritet të mbahet në mes të muajit maj në Islandë.

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore