Kosova

“Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin”


Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë përmes një shkrimi në Facebook se “ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin”.

Por, sipas saj moszgjedhja e Presidentit të Kosovës e dërgon vendin në zgjedhje.

“Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Ata që po thonë se e paskemi provokuar situatën me ligjin sepse votat i keni pasur, janë të njëjtit që thonin se Agim Veliu nuk është dashur të shkarkohet se ai veprim e provokoi rrëzimin e Qeverisë ani pse dihej që Qeveria s’ka pasur në plan të votohej, po kur u votua ka pasur plan të rrëzohet”.

Ajo ka shtuar se nuk kanë çfarë tu bëjnë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë, siç ka thënë, terminale doganore, poste diplomatike a tendera.

Kundër këtij projektligji ishin partitë opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur “panik histerik” reagimin e opozitës dje në Kuvend lidhur me Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Kurti përmes një statusi në Facebook ka thënë se ky Projektligj ndonëse nuk u votua me procedurë të përshpejtuar, do të votohet me procedurë të rregullt.

Të premten në mbrëmje ka dështuar nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për ta kaluar në procedurë të përshpejtuar Ligjin për Zgjedhjet, pasi votuan vetëm 65 deputetë për dhe 39 ishin kundër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore