Kosova

Partitë opozitare: Kurti me mendësi totalitare


Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës për ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje, partitë opozitare në adresmin e tyre para mediava nga holli i Kuvendit e kanë kritikuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e këtij ligji.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, theksoi se “kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka tentuar që të kërcënojë deputetët dhe qytetarët, për t’u imponuar mendësinë e tij totalitare”.

“Përmes arrogancës së numrave, u tentua të imponohet mbi Kuvendin shantazhi dhe kërcënimi, por ne jemi këtu për të mbrojtur shtetin, interesin qytetar dhe rendin kushtetues” tha Gashi.

Ai pohoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, pa u tërhequr Ligji për Zgjedhje.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri i saj Kurti, tentoi sonte të kërcënojë secilin deputet dhe qytetar të Kosovës për të imponuar mendësinë e tij totalitare. Pra, ne sonte e patëm një seancë që u thirr në orët e vona për të imponuar kërcënimin dhe shantazhin, por ne jemi këtu për të mbrojtur rendin dhe ligjin”.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar qasjen e sotme të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

“Sot u tentua që krejt një proces i tillë të kamuflohet dhe kontrabandohet brenda disa ore duke ushtruar presion dhe shantazh mbi institucionet duke përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës”, potencoi Krasniqi.

“Si PDK nuk do të nënshtrohemi ndaj çfarëdo shantazhi ose presioni të kësaj qeverie por do t’i dalim përballë ashtu siç vepruam sonte”.

Për shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahirin, ky ligj u tentua të kontrabandohet.

“AAK edhe në diskutimet në Kuvend, kërkon që për tema që lidhen me reformën zgjedhore, për tema që i prekin partitë politike dhe qytetarët, të ketë konsultim paraprak. Sa i përket qëndrimit tonë në raport në lidhje me zgjedhjen e presidentes, janë të njëjta nuk kanë ndryshuar. Kjo qasje shpërfaqë një kulturë arbitrare, arrogancë të numrave.

Me 65 vota pro, e 39 kundër është pamundësuar që të arrihet 2/3 e votave të kërkuara që shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore