Sport

Në mes të kaosit, sa vlen pasioni?


“Në parim, Superliga ishte kanceri i futbollit”, shprehet analisti Lab Mehmeti nga Kosova për Albanian Post (AP), “me Superligën, futbolli që e njihnim do të merrte fund”.

Tërmeti që tronditi futbollin ditët e fundit, ngjasonte me ato portat dimensionale që hapen te filmat fantastikë. Në mënyrë të beftë, pa asnjë paralajmërim, gjendesh në një botë tjetër ku çdo gjë të duket e frikshme si historitë e filmave horror.

Një ligë, e cila u krijua të dielën dhe u rrënua të martën. Një format i Champions-it, që ndryshoi të hënën në mes të shumë polemikave.

“Futbolli”, thotë analisti nga Shqipëria për AP-në, Ervin Fakaj, është sport masiv, “u takon të gjithëve, sidomos tifozëve, prandaj mendoj se kjo ligë nuk do t’i bënte fare mirë sportit”.

Deklarata të pafundme, premtime dhe kërcënime boshe nga të dy anët.

Superliga, UEFA, FIFA, një ngjarje treditore që, në një mënyrë apo tjetrën, ndryshoi gjithë rrjedhën e historisë së futbollit. E paqëllimtë apo jo shfaqi çdo gjë negative që mbizotëron mbi pozitivet e këtij sporti.

Në vijim, të dy gazetarët ndalen në çështjen që u përfol aq shumë nga tifozë, klube, deri edhe politikanë.

“Duke qenë se Superliga kishte për bazë rritjen e përfitimeve dhe jo formësimin dhe zhvillimin e futbollit”, tha Mehmeti.

Ndërsa Fakaj pyet “Po me klubet tjera çfarë ndodh?”. Sipas informacioneve që ka lexuar, ai vë theksin se “Superliga u rezervonte vendin vetëm klubeve më të pasura të planetit”.

Mehmeti, nga ana tjetër, e konsideron si “tentim vjedhjeje të qartë” të futbollit këtë ide.

“Futbollin tentuan ta përvetësojnë si pseudo-elitë, që i takon një grupi të ngushtë, duke e marrë nga ata që e kultivuan, formësuan, ruajtën dhe zhvilluan në këtë nivel”, tha ai.

Formati i ri i Champions-it

Në mesin e gjithë “sagës” së Superligës, Champions League zyrtarizoi edhe formatin e ri që do të fillojë në sezonin 2024/’25.

Sipas Fakajt, edhe ky ndryshim po bëhet për të fituar më shumë para. Ai nuk e mirëpret faktin që numri i ndeshjeve do të shtohet përsëri.

“Lojtarët sot, në disa ekipe elitare, arrijnë të luajnë afër 60 ndeshje në sezon, që janë shumë”, thotë Ervini, “imagjino se me formatin e ri do të shtohen edhe disa ndeshje. Ky është një format që do të stërmundojë futbollistët vetëm për pak më shumë parà”.

Për Mehmetin, edhe ky format është i shtyrë nga “lakmia” e klubeve gjigante njëjtë si Superliga.

“Është një projekt, që më shumë ka në fokus rritjen e financave se sa zhvillimin e sportit”, shprehet Labi.

Çfarë i bën përshtypje Mehmetit nga ky ndryshim është fakti që u jepet mundësi skuadrave të mëdha si Milan-i, Inter-i, Arsenal-i, Chelsea etj. të kualifikohen edhe nëse nuk përfundojnë në pozitat Champions.

Rreth këtyre dy formateve, Fakaj shprehet shkurt: “Formati aktual është në rregull në krahasim me atë të riun”.

Kurse Mehmeti ndalet pak më gjerë, duke thënë se modeli i tij i preferuar i futbollit është ai gjerman. Ai e krahason me atë të Superligës, që sipas tij themelin e ka të bazuar te financat.

“Aty i jepet më shumë rëndësi zhvillimit të futbollit, shpirtit dhe garës, të cilat kanë shumë më shumë vlerë se sa paratë”.

A u jep më shumë rëndësi futbolli të pasurve?

Sa i përket pyetjes se si mund të kthehet futbolli te vlerat sportive, të dy analistët japin përgjigje të ndryshme.

“Pyetje milionë dollarëshe”, e cilëson Fakaj, i cili e sheh shumë të vështirë që vlerat sportive ta lënë paranë në plan të dytë.

Në mënyrë sarkastike, Mehmeti thotë që, me këtë mendësi të ngritur mbi lakminë financiare, mund të arrijmë në një formë të futbollit amerikan, ku për çdo dhjetë minuta lojë, ka pesë minuta marketing.

Për AP-në, të dy analistët kanë edhe disa ide se çfarë mund të bëhet për radikalizimin e futbollit.

“Duhet të ketë tavan për paga, të punohet më tepër në formimin e modeleve për transferimin e futbollistëve, të modifikohet përqindja e menaxherëve të lojtarëve”, shprehet Mehmeti.

Këtë të fundit e konsideron edhe problemin kryesor në këtë sport.

“Duhet t’i jepet përparësi shpirtit sportiv para lakmisë financiare, e cila duhet ndaluar me korniza ligjore e sportive. Skuadra duhet të shihet si shoqëri sportive me nevoja financiare, e jo si ndërmarrje fitimprurëse me nevoja sportive”, e mbyll Labi.

Kurse Fakaj thotë që është e vështirë ta kthejmë historinë disa dekada prapa.

“Mënyra si është krijuar shoqëria sot, besoj që të gjithë faktorët e futbollit dhe aktorët rreth tij duhet të bëjnë më të mirën që futbolli dhe paratë të ecin paralelisht, duke treguar kujdes që këto të fundit të mos parakalojnë lojën më të bukur dhe më të ndjekur në botë”, përmbylli Fakaj.

Pas një jave shumë kaotike në futboll, enigma më e madhe aktualisht mbetet se çfarë do të na sjellë e ardhmja e këtij sporti.

Lumturi apo zhgënjim, mbetet për t’u parë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore