Lajme

Ndërrohet trupi gjykues i rastit “Stenta 2”


Rasti “Stenta 2” ku janë të akuzuar 45 kardiologë për keqpërdorim të pozitës dhe marrje ryshfeti, i’u është ndërruar përbërja e trupit gjykues.

Ndërsa kryetare e trupit gjykues do të vazhdoj të jetë gjykatësja Shadije Gërguri, anëtarë, do të jenë gjykatësit Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari, i cili zë vendin e Alban Ajvazit.

Ky ndryshim ka bërë që disa nga të akuzuarit, të kërkojnë që gjykimi të nis sa më shpejt, pa u konsideruar të lexuara veprimet procedurale.

Por, një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga prokurorja Florije Shamolli.

Në rast, të përfshirë ishin edhe Ferid Agani, (ish Ministër i Shëndetësisë), Gani Shabani (ish sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë) dhe 11 të akuzuar të tjerë.

Procedura është veçuar për gjashtë, prej të akuzuarve, për arsye shëndetësore, duke bërë kështu që ata të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë.

Rasti është ndarë në tri pjesë në shqyrtimin fillestar dhe të akuzuarit, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, dyshimi i bazuar është se nga 1 janari i vitit 2011 e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, të akuzuarit, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë, të komisioneve, të Klinikës së Kardiologjisë.

Një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor, në institucione private.

Edhe pse letrat referuese, do duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Ndërkaq, PSKR, pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës, nga kjo është 4,555,553,00 euro.

Këto veprime të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht mjekë e pronarë të spitaleve private.

Më 15 qershor të vitit 2016, Prokuroria e Shtetit, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh-së, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe katër personave juridik.

Ndërsa, 56 persona fizik, janë liruar nga hetimet, pasi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme, ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga Besim Kelmendi, prokuror i Zyrës, së Kryeprokurorit të Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore