Shqipëria

Ndërkombëtarët pro zgjatjes së mandateve të vetting-ut, monitorojnë seancën


Në Kuvendin e Shqipërisë po mbahet seanca plenare për zgjatjen e mandateve të organeve të vetting-ut.

Të pranishëm aty janë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë, si dhe të ambasadës së Bashkimit Evropian.

Ata do të shohin nga afër votimin e deputetëve për zgjatjen e mandatit të vetting-ut.

Teksa nga palët e partive politike ka pasur qasje të ndryshme, faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të votuar “pro” zgjatjes së mandateve të vetting-ut.

Fillimisht ishte delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri dhe ai i Ambasadës amerikane, që dy ditë më parë dolën në një deklaratë të përbashkët.

“Kjo e fundit po jep rezultate”, citohej në deklaratën e përbashkët dhe “vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element thelbësor i reformës”.

Ndër të tjera, ata përmendnin dhe përfundimin e Komisionit të Venecias, e cila konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.

Procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas Ambasadës Britanike, duhet të bëhet “në mënyrë të drejtë” dhe “të barabartë”.

Kërkesa për zgjatjen e mandateve të vetting-ut

Më datë 15 tetor 2021, PS depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Mazhoranca kërkoi që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Opozita e kundërshtoi, ndërsa ende nuk e ka zyrtarizuar qëndrimin që do të mbajë.

Megjithatë, fjala e fundit i takon Kuvendit të Shqipërisë: do të dëgjojnë thirrjen e faktorit ndërkombëtar, duke i votuar dhe miratuar ndryshimet me 84 vota pro, apo do t’u përmbahen qasjeve të tyre?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore